>
LETERSISHQIP
Gentiana Minga

Sy Mbyllur

Sjellin me vete në barakë, figurat e dashura,
të rinjtë, me zë: “oh, falë Zotit, e mbajmë mënd
shtëpinë tonë në Siri, rrugicën përballë portës,
delet e kushërinjtë e shtrenjtë që i humbëm.
… vdekja është rrisk”
Alushi mbyll sytë e niset i rritur e pilot
mbi Eufrat
turistët shtrihen me barqet ngjyrë vjollcë
mbi barin kashtë e prerë, bëjnë shenja me duar, rrëmujë,
njëri fut gishtat në ujëra kaq blu
sa ndjen paqe e bëhet i dashur,
e zbavitet, shastiset me ngjyrat si prej moçalesh
ndjek valët e ulta e të avashta
pa dashur të vijë në vete. Në deltë të lumit çiliminj
me gjokse të zhveshura u provojnë muskujt njëri tjetrit.
Vijnë rrotull qen të djersitur,
keca, pula,bulktha
e magjepsen dritat e kandilave në Arsal,
nga tavanet e ulta prej lecke kullojnë
sy kaq të përshndritshëm, shohin tej
të kaltëra fytyrat e zymta, të kaltëra baraket.
Gojët pështyjnë zbardhëllima qiellore
e kaltërojnë njëra tjetrën,
lagjet në afërina,
elefantët e shkretëtirës
larg në vapën e mbrëmjes së kaltër
tek shkojnë me hapa të gjatë
e me merak kërkojnë
bukë e ujë hallall.