>
LETERSISHQIP
Halil Xani

Kush Në Fshat Përbuzë Bujqësinë

Kush në fshat
Përbuzë bujqësinë
Shkon blen shtalba
Në Prishtinë.

-O punone tokën
Thoshte xha Haliti
Se nuk ju qet
Të hani sateliti.

-Jo s`ka llogari
Të mbjellim grurë
Jetojmë në fshat
Bukë blejmë n`furrë.

-Dikur kishim perime
Për treg e për veti
Tash po na dhemb shpina
Duke i bartur nga qyteti.

Nuk mbjellim panxhar
Jo as luledielli
Sheqeri dhe vaji
Na pikin nga qielli.

Deri vonë fitonim
Edhe nga bagëtia
"Për t`i mbrojtur nga shapi"
Shumë na i vrau Serbia.

E kafeçajtoret
Natë e ditë përplot
Pakkush e do punën
Shumica rrinë kot.

Të gjithë janë të prirur
Të hyjnë kah politika
Çka thotë Gjermania
E çka thotë Amerika.

Të gjithë deklarohen
Për Kosovën shtet
Ndërsa trepërqindëshin
S`e paguajnë me vjet.
Gusht, 1996