>
LETERSISHQIP
Jeton Kelmendi

Guxo Të Jesh Trim

Mbi supe barta frikën e guximin
deri më sot
të kjo ditë, e cila palohet
në kohën e askujt, dhe bën askohën
rrugëtimet të vështira, guximi
ballë për ballë me frikën,
deri kur mund të bartet besimi
që nuk mund t’i besohet më
as në njeriun, as në rrugëtime
të egra, në ardhje ditët
e reja, me dilema dashuritë
ani pra dashuri
mollë që piqesh lëngshëm
lënë pas dore në shpirt të njeriut
dhe i shpjegon shijen e dhimbjes
jetës së kalimtarit, njeriut.

II.

Me zemër po bart
gëzimet e hidhërimet e jetës, të mundshmen
dhe të pamundshmen
mendime dhe paramendime
të arsyeshme
ardhjet e sakta të parapara
çfarë ngjarje kaotike
krejt çka po vijnë, po shkojnë
e përsëri
nuk shihen parashikime
që flasin për një mot tjetër
duhet trimëri për të guxuar
t’i besosh dashurisë.
kohët në mure të kohëve të paluara
caktojnë drejtimet e shkuarjes, një rrugë më të gjatë
se ndërrimi i një stine
në një tjetër
ngrysje kohësh
në vitet e jetës time.

III.

Dashurinë time për ty, e barta në mendje
fundin e ka të pafund
cilido që i ngatërron hapat e largimit
shkuarja do ti vihet pas
dhe i ndanë drejtimet veç e veç
për ti kuptuar se jeta lëvizë
sikur fryma që frynë

ka diku hile që e mashtrojnë ëndrrën
por këto nuk janë realitete të mira
si në rrëfimet e mia të bukura
loja vazhdon përfilljen
e shpërfilljeve
të ngjarjeve që na lidhin
me botën
e besimeve me guximin
përtej frikës
edhe më të frikshmit guxim.