>
LETERSISHQIP
Jeton Kelmendi

Po Të Pres

Po të pres
përtej mundësive të mija
në diku të askundit

pritja vazhdon
nëse ardhja e shkuarja kanë kuptim
janë të arsyeshme

të takoj
në faqet e librave të mbyllura
dhe titujt e poezive të harruara,
të kërkoj
mendimeve të shumta, kur
në mua shfaqet mungesa,
dhe kështu
të gjitha pritjet m’i ke kaluar

me ty ecim
rrugëve të panjohura, që vetëm
në ëndërr i shoh
kështu pritet vetja jote
kur atë ta merr dikush
akoma po të pres

nuk flas më për ty
i kam harxhuar mendimet,
mjafton
që kam dalë në fillim
të vetvetes,
atypari do kalosh ti.
Lubjanë, Slloveni prill 2019