>
LETERSISHQIP

Kam Me T’Dashtë Veç Ma Shumë

Himn i djegun asht rrëfimi jem i trisht
për kangën e fluturave nudo
tek vallëzojnë mbi luleshqerra,
për djemt’ ma të hijshëm që prenë
malin e shpirtit kryeshtruem
e dhimbja e harrimit mbeti
poshtrueme para fatit.

Qiell i thyem n’ copa me asht derdh mbi sy
feneri i kohës ndjek udhën e lumit
merr me vete skllavninë teme
e rrudhat e idhta të buzëve pelim i shpërndanë.

Ky asht rrëfimi i një nate
që kalon skllavninë e vet
shpirti edhe pse ka marr pezm
kunora e andrrave i asht troshitë mbi krye
prapë merr forcë e bërtet
kam me t ‘dashtë edhe ma shumë
o rrëfimi jem i zhytun në yjet e laguna
të një nate karantine!

Asgjë nuk mundet me m’ nënshtrue!
Nëse humbi pak liri
mes grilash do ia shijoj aromën,
nëse humb një lule
andrroj të prek shumë pranvera,
nëse era më kjan’ të veshi do bahem tempull
lirinë e zogjve krahhapun ta puth.
Veç qielli mund t ’mi merr peng andrrat
mi kep copat e veta!

Në maje të gishtave kam me ec
krynaltësinë teme se prek as nata
e pluhuni i kësaj kohe lavire
nuk e mbulon andrren teme t’ zhguntë
me krejt takatin kam me përqafu jetën
e kopenë e strehës teme
kam me dashtë veç ma shumë…

Hangshi vetën re te errëta që m ‘keni ra n ‘sy
ashti i andrres teme nuk thyhet lehtë!