>
LETERSISHQIP

Dëshira

E ardhmja dhe rregulli janë vende jomikpritës,
sepse dyshemeja është e ftohtë e nuk mund
të ecësh këmbëzbathur e të harrosh të vishesh.

Një vend në tavolinë, pirunët e pistë,
gota bosh, një arsye të qeni
sentimental, një trup
i veshur vetëm me numra çift.
Ky është rregull.

Është edhe hija
që ecën dy hapa para teje
për të ftohur dyshemenë që ndodhet pas derës.
Një shtëpi e shkatërruar,
rregull i mbrapsht e xhama të thyer.
Kjo është e ardhmja. Nuk mund
të ecësh këmbëzbathur e të harrosh të vishesh.

Por ekzistojnë edhe vende kalimtarë,
të kaluar e të tashëm me dritë ardhshmërie,
qytete të kufijtë,
anije të ankoruara nëpër sirtarë
vezullime portesh nëpër natë
e emra nëpër harta.

Të jetosh me shikimin e menduar
apo në moralet e fabulave që konservohen
poshtë mollëzave të gishtave,
kur koha bëhet vullnet
e shpie drejt Jugut
bindësinë e një skllavi

pa u menduar, sepse çdo gjë është mendim,
pa dashuruar, sepse vetë ai
është dashuria e ngatërrohet
si drita nën dritë,
si rrjedhja e ujit
në të paqeverisshmit korrente të oqeaneve.

Vende kalimtarë,
agime qershori shpesh të jetuara
në vetën e parë shumës.