>
LETERSISHQIP
Mentor Hajrizi

Letër Në Varr (musa Hajrizit, Dëshmor I Kombit)

Toka,
dhe pluhuri i saj,
u gjakosën.

Të riut
herët i erdhi mortja,
s’e la asnjë çast të frymonte lirshëm,
as të jetonte si ne;
ia përpiu jetën
si dheu që përpin gjakun e derdhur.

Vendi u bë
një zezelinë e keqe.

E premtja,
atyre ditëve,
nuk ishte më e premte.
U shndërrua në mynxyrë,
“e premte e zezë”,
një ditë pa dritë, pa frymë,
e errët sa vetë humbja.

Si kurrë ndonjëherë,
solli zi,
pllakosi zia ngado.

Shiu binte,
përsëritej pandërprerë.

Cicërimat e zogjve
s’dëgjoheshin,
sepse ata kishin marrë një lajm të kobshëm.

Lotët rridhnin,
secili e ndiente dhimbjen,
dhe gjaku i tij u derdh në rrëke.

Dita nisi ndryshe,
nuk ishte aspak e zakonshme.
Ishte ngrysur e tëra.

Gëzimi s’dukej më në fytyrat tona.
Dielli s’bënte dritë,
sepse drita u shua,
u zhduk e askush s’e pa dot.

Një zemër nëne,
u zhurit në flakë
një shpirt babai,
u zgjua me dhimbje që s’falet.

Djali i lirisë jetën ia dha shpresës,
që fëmijët të ecin në dritën e besës,
Mjaft u errësua dita, mjaft u përlot qielli
e premtja e 6 tetorit mbeti në kujtesë si zjarr i egër

Ti je krenaria jonë përherë, o vëlla!
Edhe pse na le pa ty,
të kujtojmë me mall,
s’të harrojmë kurrë.

Je hero i të gjithëve:
i dheut,
i familjes,
i shokëve,
i tri shkronjave të arta të UÇK-së.

Dëshmor i lirisë,
nga lindja deri në vdekje,
përgjithmonë me ty!

Mos u mërzit,
kjo s’është letra e fundit.
Shpejt do të takohemi përsëri…

Unë do të të shkruaj prapë,
më 6 tetor,
në “të premten e zezë”.
Stroc, më 5 tetor 2018