>
LETERSISHQIP
Merita Bërdica

Buzëmramja

Mbramë ra shi i dashur.
Buzëmbramja, teprica e dites, asht cepi ku shkëput Leonard Cohen. E ndigjon symbyllun, mbështetun tek shpinda e kolltukut.
Gota e venes krijon qetësi hijes,
që stërzgjatet në mur, si degët e thata të këtij dimri acart. Kështu i duket sikur dikush tjetër asht mbrapa. S’lëvizë. Në fakt s’ia ka anda mungesen.
Por, gjithçka asht vetmi.
Edhe koperta e lesht, e cila ia ka mbulue kambët. Edhe rriskat e mollës të pjekuna në prush, që lajnë shije të hollë, anipse janë tuj mbarue s’çohet me marrë një tjetër, sepse s’ka dëshirë m’iu prish gacave gdhëndjen. Janë kaq të brishta, sa lutet që edhe nadja t’i ruajnë njashtu. Ngazëllejnë, bukuroshet, oxhakun e hijes të stërzgjatun i mshojnë fort përflakje bojnash mbi mollëzat e faqeve, sa i kotuni rrotullohet si flutur.
Struket në rahati.
Gjatë përpëlitjes të qepallave shef librin “Femrat” e Bukowskit”, cili për dy netë rresht i kaloi ndër sy, sa edhe gjyslykët ju mjegulluen ma shumë se duhet.
S’din pse i erdhi kjo etje kaq e ethshme?
Ndoshta gratë ndër rreshtat e shkrimtarit s’i ka has askund. Andaj i sillen ndërmjendje për m’ju dhanë hapsinën e duhur.
E ndoshta kjo darkë, ky shi me rrshekë asht krijue apostafat për to.
Gratë e Bukowskit janë laike.
I falen territ me bojna të zeza recë.
Asaj zezes krejt atllasit e shkallës drunjtë ju japin shkëlqimin deri tek nejet e fundit, sipas naltësisë të takave, që gërsasin majen kur ulen poshtë. Tulla e kuqe kabare nën driten e qirinjve zhbahet gri, sepse burrat çirren me gërmazin e hapun, stivë gotash whisky. Tymi i duhanit asht shekullor. Skulpturon çehre rrudhash dhe kuqërremta vjeshtë vyshket ndër dy thonjtë e parë.
Diku asht e varun një foto e Marylin Monroe. Askush s’ka vu re shtrëmbjen e kornizes. Bërtet gërmazi i tyne…çirret, si ujku i mplakun në janar.
Ato i falen dëfrimit, ashtu siç dojnë pijanecat e kollarisun parfumesh papion, që shkyhen nën jargavitjen mes letrave bixhozit. Tash s’kanë nevoj as për maska zotnit. Fytyrat janë njësoj, njësoj ora, njësoj ardhja
Ato i falen lakuriqsisë mbas perdeve, e depërtimi mbet shushatje. Gjinjët, si mjelmat mbi liqenin kallkan, hapërdajnë copa të mermerta në horizonte e puthja bjen pré mbi lëkuren e lëmut, njashtu si pika e ujit që këputet nga shkrirja e hejve. Naiviteti i trupit rrëshqet në çarçafat pafund e format posejduese ngjajnë me shampanjen, kur zhurma e saj turbullon derdhjen në gotë.
E kështu gjithçkaja arrin tek pianoja. Çdo petal kuqe e gjak’t shpërthen një rrefim i gjallë ngjethës, sa s’e len m’u kapërdi mirë, sepse gratë e Bukowkit janë laike, recituese, këngëtare, shfrenuese derisa trupi ju shpërfillet e harresa vjen avash, avash, si vdekja që t’i akullon gishtat e kambëve në fillim.