>
LETERSISHQIP
Merita Bërdica

Më Fal Bir

Më fal bir,
në testament kam lanë
një palë lidhëza kundrash.
Kundra me lëkurë dhie.
Tash mendo si m’i zgidh nejet.
Janë të shtrëngueme fort.
Bâsh ke me m’shá,
se bulat e gishtave
ka m’ju ardh era dhé.
Por mos përto,
sepse njaty i kam pasë
rrahje thembrash.
Janë kryeneçe,
dijnë me diftue çdogjâ.
Si i kam hedh hapat pluhun gri,
Si i kam fut në furrë shporetit,
mu térë,
m’ia shtri rrudhat një e nga një,
nga rrebeshi shiu
i nates ma parë.

Të kam lanë një shtëpi,
sajes nga stërgjyshi.
Odat, si me kenë vagona trenit.
Të shkretat ndahen e ndalen
nga flegra sofasë
tek çdo stacion muri
dykapakësh për mikëpritjen.
Dritoret harrakaten nga korrenti,
e çatisë i mungojnë tre tjegulla.
Sa herë murlani, bir perendie,
u ngatërronte ndër to
i arnoja me gjysa copash,
marrë borxh nga axha.

Më fal bir,
mu desh me të ngarkue
në kryq supesh,
tue më pasë barrë,
sepse rrugët moren
një tjetër kah dielli.
As këndej s’i harrova lidhëzat.
S’i ngjanin atyne,
që kam palosë tek testamenti.
U desht m’ia shpërla faqet
me zbardhues hane,
mos m’i ardh era djersë
për mos me ta korit gjakun,
sepse tjera shpresa
e merrnin kundren me të mirë,
e ti duhet me kenë aty ku je sot.
Por prap nejet filluen
me shtrengue dhambët zverdh,
sepse shtëpia e stërgjyshit
ma trazonte shtatë herë naten,
“Si mundem m’i vue
dy drrasa mbi shpindë,
pa të lanë asgja nga mishrat e mi?”

Më fal bir,
në testament kam lanë,
një palë lidhëza kundrash
dhe një varse teshash tanë djersë!