>
LETERSISHQIP
Merita Bërdica

Drandofili

Ka fjet mbramja. Qielli fik milat hyje.
Kandilat e rrugices shprazen nga venat e gjetheve e duket sikur asgja pëpëtinë. Sofallekut tokë
i krehen bojnat në çdo damar, rrjedhje dëshirueshme për tanë shtëpiat, të cilat kaherë i asht ndigjue dikutek gërsitja e kanatave. Bile edhe micat mbi çatia kanë ndalë vrapin. Oborreve ju ka ra një nûr bukurie e kur shofin vedin tek pasqyra e ujit pusit gadi sa s’ju bjen të fikët. Një zhurmë prish rahatllekun e ndejes dhe darka hap veshët për me dit’ ç’ka po ndodh? Njaty tek arkapia, mshehje hije lëshuem nga rrëmuja e lulekaçes, ku truma ka mbledh rreth vedit gjygymat e darkes…bash njaty bri avullis hana pregohet vjeshtes me shpërthime të padurueshme, tue mbështjellë drandofilen përqafë.
Ohhh, si ia shumbullon shaminë e kresë, krelat xajnë sytë e shkruem!
Veç me e pá. Zhurma shkaklon lulekaçen e hyjet fillojnë ndezin vedin një nga një. Helbete dojnë me dît’ gjithçka e me thashethemnue tek njani-tjetri.
S’duron syni…molisë pushtim puthjesh, sa cepi i buzës arrin me paditë ujëvara loti. Zgaqja mikluese sa pak i supit fut zjermin në krahanor.
Ban pak fresk. Me ta kâne ndoj gjâ mbi shpinë. Po, ku pyet dradofilja. Zjermi i ka hy përpalcë. E kështu hana tërhek marren nga nuri i skuqes, pak nga pak. Drandofilja s’b’za tue kundrue moshen mbi rrasat e pusit, e në motet e moshes nis bubrrimi psherëtim llastimi, si në rini. Asht rikthim. Rikthim mbas shumë kohësh.
Ajo s’don m’ia dit ma, se a e shef kush, …a kanë me e përfolë mbas çdo çamje dyersh mëdhaja. A ka me korit babën, apo nanes ka m’ia vu çullin.
Sa e sa e ka prit andjen e një kësaj mbramje. Me nétë tana i asht ulë në gjunjë lutjes prarueme e sirtari hyje ka flakërue qirin, ku shalldani si vulë germash s’ka harrue m’ia kendue melodinë para se gjumi përkundte qerpikun, zi fût.
Tash fresku ka mbulue odën, levand hane. Tyli fëshfërim ambël shtrimjen mbi qylym. Ofshamet zani nën këmishen nejlon, çam palash anë e përtej. Harbohen afshët e lëkures l’mutë bulë gishtave. Gemi vjeshtë përkthyem pendë ari ngadalson ndejshëm ecjen pupël fishkëlluese, sa ajri përshqet ndër neje dërrasash, mbasi qylymi ia ka nxjerrë bojen ngaqë asht ba zhubël nën trupa.
Dega e pemës prushzon në mrendësi, shpërthim marrëzie.
Kokrrat mëndafshta çelin qiellin e shtatë, e hana si eshka mes vjamit bahet pror’ i buzëve ngjizë, langëzim shegë, sa asht shtrydh. Avash-avash kapërthimi i trupave çliron frymën dehëse…tue marrë frymë thellë, thellë e ngimja pshëretim lehtë për andrren, të cilen nata e futi në arken e ndryme.
Pa lind nadja mirë…bash tek arkapia, e mshehun nga derdhja e lulekaçes, hana ia mbërthen pullë më pullë kotullën drandofiles..shenjue buzën në vjeshtë.