>
LETERSISHQIP

Aldebaran (Copëza Nga Poema)

O natë erdh muzika zbathur nëpër erë
Deti nisi zërat me gjemit’e tia
Këngë o këngë ku mbytet dashuria
Shpirti rri zgjuar dhembjen ve të flerë
O natë erdh muzika zbathur nëpër erë

O zambak ‘të natës me gjirin zbërthyer
Pini me ato buzë veç muzik’e vesë
Kur të vijë mëngjesi ah çdo gjë do vdesë
Hëna e kapitur mbi urë do jetë thyer
O zambak’ të natës me gjirin zbërthyer

Ikën dhe ti shpirt në qiejt e paan’
Ikën dhe le plumbin këtu përmbi dhe
Ëndrra s’njeh kohën ja u tret çdo re
Lart të pret ylli Aldebaran
Ikën dhe ti shpirt në qiejt e paan’

O na prisni ishuj na prisni ju o dete
O pëlhurë e purpurt o gjemi antike
Do dehemi duke pirë peizazhe fantastike
Drita djeje ngjyra që s’janë të kësaj jete
O na prisni ishuj na prisni ju o dete

Shkojm’ në nebuloza në dete siderale
Me jë anije flakë që digjet si një diell
Me lumenj zjarresh të kridhemi në qiell
Në kaskada yjesh që çmenden nëpër valle
Shkojm’ në nebuloza në dete siderale

Të shkojm’ portë më portë trokasim nëpër qiell
Nëpër pragje yjesh të lypim për të pirë
Pije t’përjetshme drite në putir të nxirë
Mendje e topitur qielli lart të ndjell
Të shkojm’ port më portë trokasim nëpër qiell

Pa kujtesë shpirt t’humbasim n’hapsirë
Me një mijë pëllumba nisur në eter
Veç një nat’së paku shpirt atje na ler
Nesër krahët tana do jenë në zinxhirë
Pa kujtesë shpirt t’humbasim n’hapsirë
……………………………………….

Dashuri është lumi që shkon për në det
Dashuri është deti që digjet në flakë
Bregu i detit plot përplot me zambakë
Guaskat syhapur plot ëndrra përjet’
Dashuri është lumi që shkon për në det

Dashuri është nata që s’di ç’çshtë gjumi
Bilbil i plagosur në hënë një thikë
Dashuri është legjenda që ngjan në çdo ditë
Janë yjet që duhen me gurët te lumi
Dashuri është nata që s’di ç’është gjumi

Dashuri është nata që pret në një urë
Dashuri është hëna e thyer në gjethe
Aldebarani vetëm që digjet në ethe
Buza e përbuzur që s’ankohet kurrë
Dashuri është nata që pret në një urë
………………………………….
O ti buza ime shi i ngadaltë i prillit
Mërmërimë e shpirtit mbi dheun e përjetshëm
Ka diçka o shpirt që është i pavdekshëm
Në këto pika shiu në gji të trendafilit
O ti buza ime shi i ngadaltë i prillit

Po thuaje një herë o buzë atë që di
Mblidhi dhe një herë yjet nëpër natë
Kujtoje buzë kujtoje atë ekstazë të gjatë
Si epitaf o buzë pranë emrit Dashuri
Po thuaje dhe një herë o buzë atë që di

O puthje puthje yje që shpërtheni
Yje që nuk ishit ah rini e qiellit
Kurorë e njomë lulesh rreth thinjave të diellit
Ju rilindni Botën Fillimin prap ia ktheni
O puthje puthje yje që shpërtheni

Dhe tashti o qiell me ty i mbusha sytë
O det o det me ty e mbusha gjirin
O tokë kujtomë zjarrin o erë shpërndama hirin
O Aldebaran jam binjaku yt
Dhe tashti o qiell me ty i mbusha sytë