>
LETERSISHQIP

Tirana (Fragment)

Mure muzgjesh
Mure netësh ku krahëhapur
U pështetën e qëndruan aty
Ëndje ëndrra të magjepsur gjer n’agim
Gjersa krahët e yjeve të Mjelmës
Zbrisnin e i merrnin me vete

Mure të bardha
Ndërtuar vetëm për dritën e hënës
Rrugëza të Tiranës

...

Ec ec vetëm
Trëndafilat sipër portave
Janë copa qielli të djegura në muzg
Dëgjo zëra çesmash që derdhen në kopshte
Zëra çesmash që derdhen në rrugica
Zëra që vijnë pas teje
Që nisin një kuvend ma ty
Dhe shpirti dhe zëri i çesmave
Bëhet një
Dhe atëhere kuptojmë atë që s’dinim
Zot po a s’është ky sekreti i shpirtit
A s’është ky o ujë
Rrjedha e pandalur brenda nesh
Që ikim shkojmë rrjedhim
Drejt një pafundësie që shkëlqen që shkëlqen
Dhe që na ndjell nëpër natë
Me një mërmërimë misteri

Zot shpëtoje Tiranën
Lërja këto ura nate bërë me hënë
Lerja këto mure muzgjesh që kanë mbetur
Lere të vizatojnë degët mbi to
Shpirtërat e pemëve
Lërja kopshteve gjumin e vjetër
Zërin e çesmave lëre lëre
Ah dhe zërin e nallaneve nëpër oborre
Leri o Zot
Se dheu është mësuar me ato hapa
Dhe flen i qetë se i njeh
Leri aromat e lashta
Që derdhin pjergullat
Leri mos i tremb shpirtërat e bardhë
Të stërgjyshrave tanë
Që janë aty aty

Shko natë
Vër kurora me zëra ujrash
Te ura me harqe që s’don të varroset
Vër kurora aromash
Për qiparisat e tharë
Për rrapet e prerë