>
LETERSISHQIP

Dajtit

Dajt djalosh që s’plakesh kurrë
Zmerald lëndinat flori në drurë

Një re rreth qafës posi një shall
Një re e vogël si yll në ballë

Si yll i bardhë si lule borë
Era ta sjell ta merr me dorë

Princ i bukur veshur në blu
Kadife blu si sytë e tu

Princ i bukur në të bardha veshur
Qeleshen borë në kokë ngjeshur

Pranvera vjen të puth në faqe
Të hedh narcise e manushaqe

Tirana shtrirë në këmb’t e tua
Tirana e bukur shtrir’si një grua

Grua e lumtur grua e mjerë
Sa herë qeshi qau sa herë

Tirana nuse Tirana nënë
Tirana e ve me djem të rënë

Tirana e vojtur Tirana e vrarë
Varre pa emër se sa ka qarë

Tirana baltë kalldrëm e gurë
Kalldrëm shekujsh përmbi një urë

Urë me harqe gjysmë varrosur
O kohë motesh që s’kanë të sosur

Kalldrëm shekujsh gjurma mbi urë
O këmbë burrash që s’shuhen kurrë

Qeleshebardhë e xhokezi
Te manazgjaja plot selvi

Brekushe borë jelek bojgjake
Tiranë Tiranë se ç’hije pate

Se ç’hije pate ç’far’fati pate
Dajt dëshmitar i burrëris’ sate.