>
LETERSISHQIP
Mimoza Eliona Osmani

Pëlhurë Kujtimesh

U tundën perdet prej mëndafshi,
Një erë tinëz i shtyn ngadalë,
Mes kraharorit dilte afshi,
E në dritare çonte valë..

Me sy përhumbur, në mjegullnaj.
Mes një curile shiu jashtë,
Seç m’u kujtuan sytë e saj,
Si sytë e ballit i kam dashtë.

Me furkë të kohës mblodha vetë,
Imazh të hënës nëpër yje,
Imagjinata vërtik tek retë,
E malli zbret si nat ndër pyje..

E zemrës portë hapet kanatë,
Pret që të hyjnë rrezet e diellit,
Sot ky agim është i pamatë,
Ky zjarr hedh flakë në kup të qiellit..

Me mollëza prek flokët mbi sup,
ku koken mbështesja për gjumë,
Aroma jasemin ndër trup,
Vërshon si ujët nëpër lum.

Më lagu si vesa tek bari,
ku të kam puthur mijëra herë,
Sytë më të ndritura se ari.
Pëlhurë kujtimesh endur-tjer..

E buzët manxhuranë me erë
Lan shënj mbi avullin në xham,
Nga brenda -jasht vështroj pranverë,
E qindra fjalë që më si thamë…