>
LETERSISHQIP
Naim Frashëri

Parrajsa

O vëllezrë shqipëtarë!
Pa të zëm' udhën e mbarë,
T'i bijem pas urtësisë
Dhe dritës e diturisë,
Të mos rrimë n'errësirë,
Se nuk është pun' e mirë.
Neve që qemë njëherë
Në gjithë botët të ndjerë,
Dhe të par' e të lëvduar,
E të rënd' e të dëgjuar,
Trima të fort e të mirë,
Të rrimë sot n'errësirë.
. . . . . . . . . . . . .
Ishin trima prindit tanë,
Pa emrë përjetë lanë.
Aleksandr'i Math i ndjerë
Dhe shumë shokë të tjerë,
Q'ishinë me të të parë,
Qenë gjithë shqipëtarë.
Muntnë së pari Greqinë,
Pasdaj muntnë dhe Persinë.
Zunë dhe Hind e Afrikë
Burratë trima pa frikë.
Faqen e dheut e fituan,
Më çdo anë mbretëruan.
Selefqinjtë, Ptolemenjtë, { Selefqinjtë -- dinstia e }
Gjithë ç'qenë të mbëdhenjtë, { Seleukidëve (312-64 p.k. në}
S'qen' as grekrë as bullgarë, { shtetin e Seleukidëve, me }
Ishin burra shqipëtarë. { kryeqytet Antiokinë (në }
Kombinë tën e nderuan { Turqinë e sotme). }
Dhe Evropën e shpëtuan { Ptolemenjtë -- dinasti që ka }
Nga kurt' i zi i Persisë, { sunduar në Egjipt (305-30 p.k.)}
Dh'i dhanë nder Shqipërisë. { Themeluesi i saj, Ptolemeu, ka }
Pirrua romanët mundi { qënë prijës në ushtrinë e }
E gjithë jetën e tundi. { Aleksandrit të Madh }
Kostandin'i Math, q'i thonë,
Dh'ajy ish nga fara jonë.
Gjithë njerëzit e mbarë,
Thua, qenë shqipëtarë.
Shqipëtari ka lëftuar,
Dhe ajy ka mbretëruar.
Aleksandr' i Math Greqinë
E kishte bërë të tinë,
Me luft' e kishin marë
Prindit tanë kordhëtarë,
Pa në Thivë njerës lanë, { Thiva -- Teba, qytet-shtet në }
Thivasit u ngren' i vranë, { Greqinë e vjetër }
I vranë me të pabesë,
Pas zakonit të Moresë.
Shqipëtarët kordhëtarë
Thivësë i vunë zjarrë!
S'i kursyenë gjë zjarit,
Vetëm shtëpin' e Pindarit,
Se ish vjershëtor i ndjerë
Dhe i parë mi të tjerë.
Shqipëtarët pas Greqisë
Iu lëshuanë Asisë,
Njeri kurrë nuk i mundi,
As u qëndroi dot gjëkundi,
Gjithë përpara i vunë,
Faqen e dheut gjith' e zunë.
Burr' i math i Shqipërisë
Ndënji në fron të Persisë,
E arratisnë Daranë, { Darai III }
Njerëzi e ti e vranë!
Aleksandri dha lirinë,
E shpëtoi nga xgjedh' Asinë,
I dha nder dhe Shqipërisë,
Mëmës së ti, q'i dha sisë,
Përkujdesi njerëzinë
Dhe pruri qytetërinë,
Bëri udhë e qytetë,
Pru gëzim në gjithë jetë
Edhe sot Aleksandria
Na rrëfen punët e tija.
Evropën e ka shpëtuar
Nga njëxgjedh e mallëkuar.
Këto punë shqipëtarët
I bënë, ata të parët,
Ata të parëtë tanë,
Edhe emërë na lanë.
Edhe Pirroja ish burrë,
Që s'ka pasur shokë kurrë.
Ay romasit i mundi,
Italinë tër' e tundi;
Tekdo që kishte lëftuar,
Botën e kish tëmerruar.
Kshhu edhe shumë të tjerë
Shqipëtar' ishin të ndjerë.
Ishte mëm' e trimërisë
Edh' e zonj' e urtësisë
Shqipëria kurdoherë,
Që nxirte burra të vlerë.
Trima burra të vërtetë
Sa kanë qënë në jetë
Të gjithë ajo i polli,
Trimëria soje dolli.
Qe dhe një koh' e një ditë,
Që polli dhe perënditë,
I pat pjellë Shqipëria,
Pa u falej njerëzia,
Dhe besoninë qëmoti
Që në Shqipëri rrij zoti,
Vij rremet i njerëzisë,
E i falej Shqipërisë.
Tomori nuk ësht' i pakë,
Që nxjer dhe sot zë pa flakë,
Se rrininë perënditë
Ndë atë natë e ditë!
Prindit tanë i besonin
Perëndit' e s'i mërgonin.
Perëndi e trimërisë
Ishte mëm' e Shqipërisë.
Shqipëtari trim me fletë
Rronte gjithënjë në jetë,
Shigjet' e ti vrëngëllinte,
Vdekjenë me vet' e shpinte!
Perëndi e bukurisë
Me shijët të gjithësisë,
Q'ësht' e bardhë si dëborë
Nuk e lij kurrë Tomorë,
Flinte në shtratthit të artë
Shtat' i bardhë posi kartë.
Leshërat i kish të arta
Edhe faqezët të zjarta,
Ballë, gushë, krahëruar,
Llërë, pulpë, këmbë, duar,
Pej drite ishinë bërë,
Sikundër dhe trup' i tërë.
Si dëbor' e kishte gjinë,
Pa sill nër mënt bukurinë! { Prandaj të sillte ndër mënd b. }
Kur kthehej e të shikonte,
Zëmrënë ta përvëlonte.
Zën' e kishte si bilbili,
Faqetë si trëndafili,
Diellin e urdhëronte,
Në gjit të saj perëndonte,
Në shtratthit të saj e vinte,
Edh' e mbant' e nuk e linte,
Tërë natën e pushtonte,
Pa në mëngjest e lëshonte.
Hëna këto duke parë,
Dhe duke tretur e tharë,
Ligej fort shum' e drobitej,
Kahënitej e venitej,
Se i haj zëmrën nakari,
Që djek i shkreti si zjarri.
Perëndi e bukurisë,
Q'i ip dritë njerëzisë,
Nga gjir' i saj dritë qitte,
Hënënë e përsëritte,
I ip pjesë bukurie
Edhe shij' e drit' e hije.
. . . . . . . . . . . . . . .
Dhe fqinjët e Shqipërisë,
Armikët e perëndisë,
Kshu treteshin nga nakari,
se ish burrë shqipëtari.
Sa mbretërë të dëgjuar,
Në Shqipëri të uruar,
Sa burra të fort' e trima,
Me vështrim si vetëtima,
Kan' ardhur e kanë shkuar,
Dh' emri s'u është haruar!
Me ta bashk' ish trimëria,
Dhe me ta ish urtësia,
Të dyj' ato mbretëronin,
Mëmëdhen' e lulëzonin,
Ish parrajsë Shqipëria,
Se ishte gjall mirësia.
Bukuri e perëndisë,
Perëndi e bukurisë,
Këmbergjëntë, leshflorinjtë,
Duke mbledhurë pëqinjtë,
Në Shqipëri tekdo shkelte,
Bari mbint' e gjethi çelte,
Dhe luletë lulëzonin,
E bilbilëtë këndonin.
Ajo dhe në re qëndronte,
Edhe nd'erë fluturonte,
Tekdo vij, ip bukurinë,
E përndante mirësinë.
Bëheshin mollëtë ftonjtë,
Portokaletë, lemonjtë,
Manatë, rrushtë, qershitë,
Fiqtë, arratë, lajthitë,
Pjeshka, thana, vadhja, shega,
Ulliri me shumë dega,
Gruri, misëri, peceli,
Elbi, tërshëra e meli.
Ish i veshur vëndi gjithë,
Dhe pill shumë pem' e drithë,
Drur'i dardhësë me dardhë
Ish si zonja sisëbardhë.
Nër fushatë luleshumë
Lumënj vrapmëdhenj pa gjumë
Shkoninë duke kënduar
Me kanisk të math nër duar.
Ata mëmë kanë renë,
E ajo ka atë denë.
Dheu, kafshëtë, bagëtia,
Shpestë, gjithë njerëzia,
Pin' ujët e tyr' e prëhen,
Dhe bimërat pa të s'bëhen.
Tek shkonte lum' i uruar,
Q'ishte si ar i kulluar,
Kafshëtë dhe bagëtia,
Lëçinin si mizëria.
Edhe grat' e Shqipërisë
Gjithë me foshnjë në sisë,
Sicila ish mbretëreshë
Dh'e bukur si pëllumbeshë
S'shihnje një gjë të shëmtuar
Dhe pa gas e të helmuar.
Edhe vashëzë mes'hollë
I kuqte faqja si mollë,
Dorën q'e kish pej ergjëndi,
S'e hiqte nga avlëmëndi,
Gjithë ç'i duhej në jetë,
I bënte të tëra vetë.
Në viset të Shqipërisë
S'kish gjë përveç mirësisë,
Moskamja dhe varfëria
E të tjera të këqija?
Kurrë në Shqipëri s'ishin,
Mase dhe emërë s'kishin.
S'kish as kurva as kurvarë,
as të liq kish as kusarë,
Gjithëkush vetë punonte,
E njeri nukë përtonte;
Sicili fort mirë shkonte,
Haj, pij dhe tepëronte;
Këto me djers' i fitonin,
Më shumë nukë kërkonin,
Se kish duk nga perëndia
Dhe uratë Shqipëria.
Ish shumë trim shqipëtari
Dhe i bukur si fill ari,
Si burratë edhe gratë
Ishinë trime me shpate,
Ish ligë vëllazëria,
Edhe besë miqësia.
Shqipëria gjithë nderë
Kisht' e ishte shum' e ndjerë.
Shqipëtari ish i mirë,
Dhe kish emër të pavdirë.
Shqipëria shum' e vlerë
Ish e madh' e gjat' e gjerë,
Se ahere s'ishin shqehtë,
As maxharëtë, as vllehtë,
Ishin gjithë shqipëtarë
Në atë kohët të parë,
Qeltëtë kishinë fqinjë, { keltët, galët }
Q'ishinë brinjë për brinjë.
Ishte një tjatrë jetë,
Shi t'artë shtininë retë,
Ish një ver' e gjithënjëshme
E një kohë shum' e bëshme,
Dhe në dimërë vërritë,
Që mbaninë bagëtitë,
Ishinë plot manushaqe,
Dheu kish bukuri mi faqe.
. . . . . . . . . . . . . .
Shqipëtar' ish i vërtetë,
Trim i bukur e i qetë,
Fjalënë që ip, s'e kthente
E s'doj kurrë të gënjente.
Të miratë gjithë ç'janë
I kishin prinditë tanë.
Bima pillte kallinj tetë,
Nëntë, dhetë, dymbëdhetë.
Të tërë dhenë ta rrihnje,
Plak të kërrusurë s'shihnje,
Veç kalliri unjte kokë,
Nukë dilte përmi shokë.
. . . . . . . . . . . . . . .
Vasha fill e vetëm shkonte,
Njeri kurrë s'e shikonte,
Në flori ngarkuar shkonje,
Gjësendi nukë pësonje.
Kish ahere Shqipëria
Gjithë ç'kërkon njerëzia,
Zot'i math e kish uruar,
Pa ishte fatbardhësuar,
Kishtej njerës të vërtetë,
Trima burra pa të metë,
Kish kamjen' e dashurinë,
Mirësin' e urtësinë,
Ish e tërë një fëmijë,
At' e mëm' e bir e bijë,
Kish bulmet e pem' e drithë,
Edhe të miratë gjithë.
Mijëra vjet kështu shkuan,
Shqipëtarëtë s'u ndryshuan,
Patnë gjith' ato që duhen,
Kishinë nder' e lirinë,
Pa dhe gjithë mirësinë,
Se njeriu e njerëzia
Ushqehenë nga liria.
Njeriu lindi i liruar,
Pasdaj e kanë penguar.
*
* *
Gjithë botënë romanët
E vunë poshtë, veç tanët
U pren' udhën' e s'i lanë,
Pa shumë lufëtra ngjanë.
U mbyt në gjak Shqipëria,
Po rop s'u bë njerëzia,
Nuk' u bë rop shqipëtari,
Po qëndroi si ish së pari!
Dha shpirtin e gjakn' e derdhi,
Në zgjedhë si kau s'erdhi,
Mburoi nderr' e Shqipërisë
Dhe sendrën' e njerëzisë!
Mbajti lirin' e ra vetë,
Trimërinë s'e la shkretë.
Pa kur erdhë egërsirat
Me të gjitha të pahirat,
Si hynë, shqeh e të tjerë,
Duke vrar' e duke prerë,
Të gjithë kombet' i zunë
Dhe në kurt të keq i shtunë,
Njeri përpara s'u dilte,
Gjithëkush udhën' u çilte.
Vetëm prindit trima tanë
"Gjer aty, barbar'!" u thanë.
Dhe kur erdhë nga Asia
Të shumë si mizëria
Tyrqitë, q'ishinë trima
Dhe binin si vetëtima,
Pa më thoni kush lëftonte
Edhe gjësendi s'pësonte?
Vall' elinët a bullgarët! { elinët -- elenët, grekët }
Apo neve shqipëtarët?
Njeri tjatërë s'kuxonte,
Veç shqipëtari lëftonte!
Ajy prap' e ka shpëtuar
Evropënë e verbuar.
Kush nuk e di Skënderbenë,
Që nderojti mëmëdhenë?
"Lum ti, moj Shqipëri!" thashë,
Armët e ti' kur i pashë
Ndë Belvedere në Vjenë,
Sikur pashë Skënderbenë.
Dhe sot nga armët e tija
Kullon fjeshtë trimëria!
E di njerëzi e tërë
Atë zot ç'punë ka bërë
Kur hiqte Skënderbeu shpatë,
Trimavet u ipte datë!
Burra të veshur në hekur
Dhe luftëtarë të pjekur,
Q'ishin në luftë kaluar
Përmi kuaj të harbuar,
Kur hiq me kordhët të prehtë,
Q'ishte si pëndëz e lehtë,
Posi pjepërin i priste,
Në vdekje pa ndjer' i klliste,
Njerin' e kalën e çante,
Të dy më katër i ndante.
Mirësin' e trimërinë,
Dhe mëndjen, e urtësinë
T'ati zoti njeri kurrë
S'e ka pasur nonjë burrë.
Vet' ajy burr' e trim ishte,
Edhe shokëtë që kishte,
Si Tanushi me Uranë,
E Moisiu me Hamzanë,
Si Maneshi e Muzaka,
Që hidheshin posi flaka,
E si Lekë Dukagjini,
Si Perllati, si Mardini,
Zënëbisha, Araniti,
Gjon Koka, q'ish si hastriti,
Kont, prens, mbretër e të tjerë,
Burra të vler' e të ndjerë.
Qenë trima të vërtetë,
Nuk u bënë rop në jetë.
Opopo! ç'kanë lëftuar,
E ç'punë kanë punuar!
Sa mbretër e prensër qenë,
Njohnë të math Skënderbenë,
Zun' udhën e urtësisë,
Ishinë lark marrëzisë,
Për Shqipërinë lëftonin,
Madhëritë nuk' i donin,
Po kishin vëllazërinë,
S'e qasninë djallëzinë,
Pa lan'emërë përjetë,
Zotërinjtë e vërtetë,
Veç Shqipërinë mejtonin,
Të tjeratë i harronin,
S'kishin ata thashetheme,
Të këqija e të rreme,
Donin gjithë mëmëdhenë
Dhe kombin' e Skënderbenë,
Kush i rrij kundrejt Tyrqisë,
Veç burrat' e Shqipërisë,
As Sërbij' as Bullgaria,
As Elladha as Vllahia,
As Venetia qëndronte,
As tjatërë komp kuxonte.
Evropa ishte e shuar,
Njerëzit të mallëkuar,
Kishin vdekurë nga frika,
Nga Tyrqit' u binte pika,
U trëmpnë gjithë me radhë,
Dhe Vlladisla me Uniadhë,
Si gjithë këta të rinjtë,
Dhe papa e vyzandinjtë
Më një ditë Konstandinë
Tyrqit' e zunë dh'e pshinë,
Kostandinopoj' e ndjerë
S'u mbajt, po ra menjëherë.
Grekërit' ishin të vdekur,
S'hanin dot barut e hekur,
Le të mbahen me lëvdatë
Grekërëtë posi gratë,
Me fjal' e me thashetheme,
Janë të gjitha të rreme.
Kishte vdekur njerëzia,
Rronte vetëm Shqipëria,
Veç shqiptari lëftonte,
Njeri tjatërë s'kuxonte.
Kordhëtar tjatërë s'gjenë,
Tyrqitë, veç Skënderbenë.
Skënderbeu me të parët,
Me të gjithë shqipëtarët,
I qëndruanë Tyrqisë,
I dhanë nder Shqipërisë,
Ata duall' e lëftuan,
Gjith' Evropën' e shpëtuan.
Te Skënderbeu kishte shpresë
Aher' Evrop' e pabesë.
Rrëfe, o mal' i Sopotit!
Edhe ti, Tomor'i zotit!
Me oshëtimë tregoni,
E me vetëtimë thoni,
Dhe ti, fortes' e Beratit!
E ju, bregoret' e Matit!
Folë, fol' o Drin'i shkretë!
Q'i ke parë me sy vetë
Të tër' ato ligjërime
I mer vesh zëmëra ime.
Këto gjithë po i dimë,
Më tëhu tani të vimë.
Pas Skënderbeut Shqipëria
Nukë ra në të këqija,
Se në kurt' kurrë s'ka rënë,
Poshtë njeri s'e ka vënë,
Se shqipëtari ish burrë,
Nënë zgjedhë s'hyri kurrë.
. . . . . . . . . . . . . .
Nder' e vjeftënë e mbajti,
Dhe sedrënë nuk e ndajti,
Nuk e harroi mëmëdhenë
Dhe lirin' e Skënderbenë,
I huaj në vëndit tënë
S'shkelte dot, se nuk ish thënë
Retë muntte të përpinte,
Në Shqipëri s'munt të vinte;
Fill e vetëm shqipëtari
Udhëtonte si m'i pari,
Me mbledhët të pleqësisë
Shihej pun' e Shqipërisë
Ligë kishin të vërtetën,
Që sbukuron gjithë jetën,
Kishin udhë urtësinë,
Besë kishin njerëzinë,
Udhërëfenjës e dritë
Kishin gjithë mirësitë.
Gjithë sa qenë të parë
Dhe me mënt e kordhëtarë,
Q'i dhanë jetë Tyrqisë
E nder të math Shqipërisë,
Të tër' ishin shqipëtarë
Sa bënë punë të mbarë,
Si Qyprilit' e të tjerë
Burra me emr' e të ndjerë.
Shqipëtari mbretëronte,
Ajy lëftont' e gjykonte.
. . . . . . . . . . . . . .
Shqipëria ishte zonjë
E kishte të madhe pronjë,
Shqipëria kurdoherë
Ka nxjerrë trima të vlerë,
Mehmet Alin', Ibrahimnë,
Gjikënë, Gjolekë trimnë,
Rrapon e Ali Pashanë,
Silahdarë e Shkodranë
E shumë njerës të tjerë,
Si këta dhe më të ndjerë.
Ishte vash' e Shqipërisë
Ajo zonj' e urtësisë,
Dora Distra nga Përmeti,
Q'ish në diturit si deti.
Gjithë gravet u ka dhënë
Nder dhe mëmëdheut tënë.
E kush e bëri Morenë?
Gjithë shqipëtarë qenë.
S'ish shqipëtar Marko Suli?
Xhavella e Miauli?
Bubulina e Kanari?
Shqipëtar bir shqipëtari.
Me armët të Shqipërisë
Iu hoth themeli Greqisë,
Po grekërët e pabesë,
Që iu bënë zot Moresë,
S'e duanë shqipëtarë,
Kërkojnë t'i bëjnë varrë!
Po kush bën në këtë jetë
Varr' e shokut, bije vetë.
Nukë trëmbet shqipëtari
Nga greku e nga bullgari,
Nga Mal'i Zi, nga Sërbia
Nukë trëmbet Shqipëria.
S'trëmbet kurrë shqipëtari,
Dhe sot ësht' ajy i pari,
Bota gjith' e kanë parë
Në luftëra shqipëtarë,
Plevna, Shipka s'u harua,
Koha shumë s'u mërgua.
Neve muntmë venetjanët
Dhe barbarët e romanët,
Turqinë edhe Persinë,
Afrikënë e Hindinë.
. . . . . . . . . . . . .
Gjithë njerëzit e dinë
Kush e bashkoi Italinë.
Cilët për vdekj' e për kokë
Garibaldi kishte shokë?
Shqipëtar ishin të tërë,
Ata punë kanë bërë.
Edhe sot lul' e Tyrqisë
Janë djemt' e Shqipërisë,
Njerës t'urt' e të vërtetë,
Të ditur e pa të metë.
Edhe sot është i zoti
Shqipëtari si qëmoti,
Çdo punë që ka punuar,
Kurdo e ka trashëguar.
Këto të vërteta janë,
E të rrema brënda s'kanë
Njeriu po të mësonjë,
Këto do t'i kupëtonjë.
Eshtë fjalëz e vërtetë,
Që tjatërë komp në jetë
S'i arrin dot shqipëtarit,
Burrit trim e punëmbarit.
Ka nxjerrë e do të nxjerrë
Shqipëria kurdoherë
Burra t'urt'e të vërtetë,
Ka pasur dhe do të ketë.
I ka dhënë perëndia
Gjithë ç'donte Shqipëria,
Se e ka ngrehur përjetë
Zot i math e i vërtetë.
Shqipëria s'copëtohet,
Kurrë nukëvarfërohet,
Posi hëna përsëritet,
Kurrë nukë kahënitet.
. . . . . . . . . . . . .

*
* *

Gjithë ç'jemi shqipëtarë,
Jemi një fis e një farë,
Kemi të tërë një shpresë,
Një gjak, një gjuhë, një besë,
Besë kemi perëndinë
Dhe ligë vëllazërinë,
Jemi gjithë shqipëtarë,
S'jemi të çar' e të ndarë,
Jemi shtëpi e fëmijë,
At' e mëm' e bir e bijë.
Mëmë kemi Shqipërinë
Edhe motër urtësinë,
Kemi ndihmës trimërinë,
Mëm' e atë perëndinë,
Se asaj i prumë besë,
Të gjith' atje kemi pjesë.
. . . . . . . . . . . . . .
S'jemi as turq as kaurë,
Mos e thoni këtë kurrë,
S'jemi grekër as bullgarë,
Jemi vetëm shqipëtarë
Ky emërë na ep nderë,
Pa s'na duhenë të tjerë,
Kemi gjuhëzënë tënë,
Zot'i math na e ka dhënë,
Dhe komp e mëmëdhe kemi,
Të humbur në jetë s'jemi.
Ajy që s'do mëmëdhenë
Dhe kombin e vetëhenë,
Dhe gjuhënë që flet vetë,
S'është njeri i vërtetë.
Ata quhen tradhëtorë,
Janë të mjer' e të gjorë,
Faqezes e gënjeshtarë
Dhe të paqën' e të marrë,
E lenë mënjanë nderë
E lipin derë më derë
Ata janë posi berri
Edhe të ndyrë si derri.
Nder e vjeftë s'munt të ketë
Njeriu i tillë në jetë.
Gjithë ç'jemi shqipëtarë,
Jemi një s'jemi të ndarë,
Kët' emërë mjaft e kemi
Dhe na ep nder kur e themi,
Eshtë emr'i Skënderbeut,
Emr'i gjithë mëmëdheut,
Me kët' emrë të bekuar
Tanëtë janë lëvduar.
Selenik e tatëpjetë
Ka qënë dhe do të jetë
Vënd'i tër' i Shqipërisë
Me ndihmët të perëndisë.
O ju fqinjtë e pabesë!
Mos bini me atë shpresë,
Shqipëria s'copëtohet,
Shqipëtari nukë ndrohet.
Ju e njihni shqipëtarë,
E kini parë më parë,
Po mos delni nga kufitë
Edhe lini marrëzitë.
Që të kemi miqësinë
Të gjithë dhe dashurinë,
S'ka njeri të marrë pjesë,
Për të zonë do të mbesë
I zoti 'shtë shqipëtari,
Ajy që ka qën' i pari,
S'ka njeri tjatërë pjesë,
Pa nukë ka besa-besë.
Shqipëria ka të zonë,
Q'e ka pasur gjithëmonë,
Me qënë gjall shqipëtari,
Ç'kërkon greku dhe bullgari?
Dhe Mal'i Zi e Sërbia
Ç'kërkojnë nga Shqipëria!
Hiquni, o të pabesë!
Se e zeza do t'u presë!
Djemt' e Skënderbeut përjetë
Janë burra të vërtetë,
Ç'e pandehtë shqipëtarë?
Të vdekur, q'i bëni varrë?
S'e dini ç'u ka punuar?
S'më ngjan t'i kini haruar.
Kush ia ka me të pabesë
Shqipërisë, do të vdesë,
Do të vdes' e të humbasë,
Nga nakari të pëlcasë,
Shqipëria do të rronjë,
Paskëtaj të mbretëronjë.
. . . . . . . . . . . . .
Në pastë nër shqipëtarë
Pakë grekër e bullgarë,
Pakë shqipëtarë janë
Vallë nëpër fqinjtë tanë?
Ne duam vëllazërinë,
Dashurin' e miqësinë,
. . . . . . . . . . . . .
Pa luftës s'i trëmbet kurrë,
Shqipëtari është burrë.
Edhe Evropa e tërë
Sonte me ne është bërë,
Se të drejtën ne e kemi,
Ne të zott' e vëndit jemi.
. . . . . . . . . . . . . .
Sot për sot Maqedhonia,
Thesprotia, Mollosia,
Dhardhania, Iliria,
Paravea, Haonia
Që u thoshinë qëmoti
Bota, po s'u thosh i zoti,
Bëjnë gjithë Shqipërinë,
Edhe fqinjtë ton' e dinë.
Tani, djemt' e mëmëdheut!
O të bijt' e Skënderbeut!
Ju, o vëllezër e shokë!
Pa mblithni mënttë në kokë,
Xgjuhuni, o shqipëtarë,
Se afëroi dit' e mbarë!
Mos vini veshnë në botë,
Si të dojë le të thotë.
Gjithë ç'jemi shqipëtarë,
Jemi një komp e një farë,
Edh' e tërë Shqipëria
Eshtë një si perëndia.
Lereni mënjanë fenë,
Të shikojmë mëmëdhenë,
Të jemi miq në mest tënë
Dhe shokë, si kemi qënë,
Ta shtojmë vëllazërinë,
Dashurin' e miqësinë.
. . . . . . . . . . . . .
Jemi djemt' e mëmëdheut
Gjithë dhe të Skënderbeut,
Sicili le të besonjë
Sikundër të kupëtonjë,
Po feja të mos na ndanjë,
Në xgjedhë të mos na mbanjë.
Përpiqi për vethet tuaj,
Mos për bot' e për të huaj.
Eshtë dit' e diturisë
Sot e koh' e urtësisë
S'bën dot punë marrëzia,
Padija e foshnjëria,
Poshtë ndarja e nakari,
Qoftë lark nga shqipëtari,
Rroftë bashkimi përjetë,
Q'e fali zot'i vërtetë!
Ta kemi vëllazërinë,
Miqësin' e urtësinë,
Një fjalë gjithë të themi
E një dëshirë të kemi:
Të nderojmë mëmëdhenë,
Gjuhënë e vetëhenë,
Shqipërinë ta shpëtojmë,
Së gjithash ta lartësojmë
Atë kemi gjithë mëmë,
Në të huaj nuk' e lëmë
Pa njeri të mos kuxonjë
Ta pres' e ta copëtonjë.
Shqipëri, o jetëgjatë!
Ty të kemi mëm' e atë
Dhe për ty do të lëftojmë,
Gjersa të të trashëgojmë!
Për ty gjithë, dit' e natë,
Mejtohemi gjer' e gjatë.
Ti kurrë s'prishesh, s'shkretohesh,
7 As drobitesh, as pengohesh.
Më ke gjithë bukuritë
E të tëra mirësitë:
Ke fusha me lule shumë,
Lumënj të mbëdhenj pa gjumë,
Male të lart' e të veshur,
Buzën' e detit të qeshur;
Gjithë gazë ta dha zoti,
Ta ka falur që qëmoti;
Më je dritëzë në dritë,
Me të gjitha mirësitë.
Për ty shumë do të thoshe,
O Nuseja bukuroshe!
Ti s'plake kurrë në jetë,
Posi perëndia vetë!
Vdekja edhe pleqëria,
Shëmëtimi, dobëtia,
Ty s'ta zënë dot pëqinë,
Mësa zënë perëndinë!
Ke pjell' aqë të vërtetë,
Sa s'nëmërohen në jetë,
Pa ke pjellë Skënderbenë
E gjithë trimat sa qenë.
Ke sot djem t'urt' e të mirë,
Trima me shumë dë shirë.
Nukë vdesin shqipëtarët,
Janë vet'ata të parët.
Dardha nënë dardhët bije,
Dit' e sotme qe dhe dije,
Nukë shuhet njerëzia,
Vdes e ëma, rron e bija,
Rron i biri, q'është vetë
I ati që qe ndë jetë.
Trëndafili, që ep er1%,
Çeletë sërish në verë.
Ju priftërë mjekër gjatë,
Q'u quan kombi uratë,
Uratë e perëndisë,
Q'është drit' e gjithësisë,
Munt të bëhi të pabesë
Për të mirët të Moresë?
...
Hrroni dot mëmëdhenë?
E pse? Ç'e kemi Morenë?
Krishti grek nukë ka qënë,
Dhe besën ata s'e bënë.
Dhe ju hoxh' e ju dervishë
Mos shihni xhami e kishë,
Si kisha 'shtë dhe xhamia,
Tekdo është perëndia,
Pa të tërë njerëzinë
Zot' i math e ka të tinë,
Se përpara perëndisë
Nj'është tuf' e njerëzisë
Kush ka zëmrë të qëruar,
Munt të jet' ajy m'i çquar,
Se po vetëm urtësia
N'afëron te perëndia.
Ta doni keq perëndinë,
Po bashkë me Shqipërinë.
Shqipëri, të qofsha falë!
Të kam mëm' e më ke djalë,
Në gjit tënt ngrihem e bije,
Ti ke fuqi perëndie,
E mer në gjit bukurinë
Dh'e nxjer prapë kur hap gjinë.
Trëndafil' i kuq me palë,
Që nga gjiri yt ka dalë,
Është gjaku i një mbreti,
Që prëhje ndë gjit tënt gjeti.
Nga të mos nxjerç lule m'erë
Ti, që këllet kurdoherë
Ndë gji vetë bukurinë?
Gjithë tek ti ven' e vinë.
Parrajs' e vërtetë vetë
Është Mëmëdheu në jetë.