>
LETERSISHQIP
Ndoc Papleka

L'eternel Retour

Në vitin 39 para Krishtit
Oratori romak Asinius Pollion
Nënshtroi parthinët, një popull të Ilirisë
Pas kthimit të tij në Romë
Për të u organizua një triumf
Më vonë, ai vazhdoi të merrej me ushtrime oratorie
Siç thotë Seneka ( Plaku )…
Në vitin 1939 pas Krishtit
Një pinjoll tjetër i Ujkonjës, me emrin Konti Ciano
Në trupin e të cilit ndoshta kishte shtegtuar
Shpirti i oratorit romak Asinius Pollion
Përgatiti nënshtrimin e të njëjtit popull
Me ndryshimin e vetëm se tashti parthinët
Quheshin albanezë ose shqiptarë
Ashtu si stërgjyshi i tij i largët
Oratori romak Asinius Pollion
Edhe Konti Ciano ka pasur prirje letrare
Madje ka shkruar një libër të trashë…
Duke lexuar Senekën ( Plakun )
I cili i ka kushtuiar një kapitull të tërë
Oratorit romak Asinius Pollion
U befasova nga ngjashmëria e këtyre dy datave
39 para Krishtit, 1939 pas Krishtit
Në të cilat ka ndodhur e njëjta ngjarje
Ku kanë marrë pjesë të njëjtët protagonistë…
Përsëritja e të njëjtës ngjarje në dy data të ndryshme
Më solli në mendje të frikshmin L’ Eternel Retour!