>
LETERSISHQIP
Nikollë Loka

Rozafa

Varrin s’ta gjetëm askund,
veç një copë mermer
në mes të gurëve të vjetër,
as një epitaf
ku të shtonim një varg,
as ninullën e djalit tënd
në frymën e liqenit të plakur.
Ej Rozafë!...
Ishte e shkruar jeta jote,
flijim për një kala mbi kodër,
lutej fusha djerrë me imazhin tënd:
këtu ma vendosni Shkodrën!
E ajo kodër
do të shenjtërohej pas flijimit,
pas një pabesie ndër vëllezër,
pas një krimi.
Nën hijen e kodrës së shenjtërueme,
në fushën me bar,
të Shën Kodrës
që lindi nga flijimi,
u krijua Shkodra
prej djalit të Rozafës së vrarë,
në gjoksin e liqenit
e në shpinën e Drinit.
E tash tremijë vjet
atje në Kodër,
jeton shpirti yt Rozafë
në qiellin mbi kala,
dhimbje derdh
nën dhé e mbi ujë,
Shkodra nën hijen tënde
qesh dhe qan.