>
LETERSISHQIP
Puntorie Muça Ziba

Gratë

O grua stoli,
prej kur errë e zbardh drita në ferk
me faqka të purpurta.
O kurm dhembjesh,
o det lotësh
ti je pjergull,
ti je rrush në sytë e botës,
ti je fletë pjergulle
në shtëpizat me nëntëdhjetë e nëntë dritare
me oborre e kopshte mbush fiq e mollë,
ti je pjergull që varesh mbi degë
e lëngëzon për foshnjet tua
që të yshten nga drita e syrit
me pikla-pikla vese,
nga bardhësia e gjirit
me lëng rrushi
në faqkat e tua purpur
ku fshijnë turirin e butë
prej bebeje
dhe kokrrën e lotit
kur ju rrëshqet.
O grua që mbete rrush në sytë e botës,
o zemër valëtrazuar përtej detesh,
malesh, universesh,
nga ankthet e pritjes së bijve adoleshentë
kur lulojnë e trazohen nga pasthirrmat dashurore.
O grua, o lule pjergulle nazike,
mos e lodh shpirtin që nuk erdhe mashkullore
asaj dite kur të lindi nënoja,
se, s’do mbeteshe lule aromatike në sfond prej hënëze
varur në mur,
s’do të nguliteshin sytë e fëmijëve të diellit,
në sytë e tu me pikla vese.
Ti je përjetësia e zgjuar, moj lule lehonë
me ninulë në gojë deri në ferk
kur t’i zë gjumi bebet vajzushe
në shtrat të natës
se rriten bëhen pjergulla plot me rrush
moj,
plot me rrush
dhe nisin lëngëzojnë jetë
kur i mësojnë dhembjet e shtërzimeve të lindjes,
e i kujtojnë sytë e stërdala si kumbulla
nga therjet e lulebarkut afër lulekërthizave
që ngadalthi, ngadalthi përqafohen me hyjnoren,
hedhin përtej universit frikën e shtatit prej zane.
Ato bëhen gra
sajojnë një qafë ujkonje
sa të mos lakmojnë e të mos vdesin
për një kokërr kripe, nga dyert e botës tinëzare.
O, nëno,
o, nënoja jonë
o, grua me kurm prej plagësh, me kurm luleje,
lëkurën e pëllëmbëve zumpara, moj zumpara,
kur i vë gjoksin punës
kur i vë gjoksin artit.
O, shpirt dinjitare, mes sysh trazuar të rigon mall,
rigon aromë lehone
kur kokrra- kokrra
bijë e bija yshtin shikimet e syve tu, me vesë lotësh.