>
LETERSISHQIP
Rozafa Shpuza

Qasje

Jam ajo valixhja e harrueme në transportierin e aeroportit
ku priten bileta lamtumirash.
Rrotullohem njitrajtshëm
pa dashtë me ia ditë për belbjen e buzve,
fragjisë prej premtimesh të nderuna
në atë fillin e bardhë ku përshkohet
fryma e avionit…
Pres nji dorë me m’tërhekë zvarrë
mbi dizenjot futuriste të dyshemeve
ku flirtojnë hapat ikacakë
e mandej me m’stivue diku maje raftit
në odën e gjumit me nji llampadar si pirsis në kërthizë.
Deri n’flutrimin tjetër
tejat kanë me këndue ninulla monotone
e gjamat e shinave kanë me pikturue kode surreale
në pullazin e ngjizun prej dashni tjegullash kuqalashe.

Jam ajo valixhja e mbushun dingas me ardhmëni
gati me fluturue pa axhenda fikse shtegtimesh…