>
LETERSISHQIP
Rozafa Shpuza

Rrugtim

Rrugës përkah uni
ngarkoj në shpindë nji thes dëshirash
e mbathi këpucë me shoje pendesash.
Hapat i hedh shpejt, ndaj gjurmët zhbahen
pa m’lanë kohë me dyzue.
Pres agun ndër stacione
ku sirenat s’prajnë tue ju ra lamtumirave
e prej ngutit harroj me përshkue nynin në fillin e lutjeve,
sa herë përcjell nji shpirt përtej.
Sinorët e prostitutave kapërthehen me t’mijat
bash kur ninullat më përkundin ndër andrrat
që kurrë s’i pash. Krejt përhanshëm,
pij me miq kriklla kabahe dalldish
e joshem prej shkumimit t’epsheve
që derdhen mirëfilli nën tavolinë.
Ngutem me fiksue ndër retina frymë portretesh
me shpresë se buzëqeshja ka me u ruejt
pa pasë nevojë për korniza.

Njifar’ vendi ndalem…
s’du me e ditë sa kam hapëzue,
veç zbathi këpucët e vazhdoj rrugtimim
me shputa të njeshuna fort në teh baticash.