>
LETERSISHQIP
Shazim Mehmeti

Pinjoll I Dritës E I Padritës Jam

Pinjoll i dritës e i padritës jam,
e nuk i ik dot errësirës sime!
Më quaj bli, e do më mjaftojë!
Bën edhe ulli të më quash!
Edhe çast, edhe asgjë !
Bën edhe këlysh! Bën edhe hiç!
Bën edhe ikje! Edhe kthim bën!
Edhe dëshpërim! Edhe lumturi!
Bën edhe harresë! Edhe kujtesë!
Bën të më quash buzëqeshje!
Bën, edhe lot!
Bën edhe kot të më quash!
Fosfor poashtu!
Bën të më quash, shpikës i alfabetit me pesë shkronja!
Analfabet bën!
Bën të quash qorr, memec, gungaç!
Zjarrnjeri! Bën dhe akullnajë!
Bën të më quash strehë!
Korb, bën, pse jo!
Sorrë e laraskë e ç'të të vijë ndërmend!
Padije, bën të më quash, morr!
Terr e kaluar territ!
Ag, bën, pse jo!
Pse jo edhe muzg!
Natë bën të më quash!
Lule, dhe vesë!
Therë, bën! Kërcu!
Vorbull uji, bën të më quash!
Rrjedhë e parregulluar e ku di çka!...
Qarje, këndez, a këndonjës pa sens!
Bën të më quash liri dhe burg!
Ferr bën të më quash,
por vetëm ferr i vetes!
Bën të më quash parajsë, pse jo!
Bën të më quash i përtejmë!
Edhe i këtejmë, bën!
Bën të më quash bubrrec dhe burrec!
Bën, dhe milingonë!
Dimër, bën të më quash!
Dhe vjeshtë, verë, pranverë!...
Dhe vit, dhe dekadë, dhe shekull!
Dhe asgjë, dhe asgjë, dhe asgjë!..
Ka më, ka më...,
por nuk më kujtohen më...- të
në këtë çast të përtejmë!