>
LETERSISHQIP
Shefik Arifi

Nëse Pyet Kush Për Mua

Po ju pyetën miqtë: -Pse iku, ç'u bë?
U tregoni dhe mos mbani sekret.
U thoni se për familjen s'pati asgjë,
Mori arratinë se jeta i vajti shkretë.

I thoni, se i vinte turp kur u largua,
Po pyeten: -Ç'pati që iku natën si i marrë?
Zemra më dhimbte, syri m’u lotua,
Kur i shihja prindërit të dy shpirtvrarë.

Në më qau dikush hallin mua,
Vallë ç’i shkrepi në kokë?
Pse si erë iku u shua?
Ç`pati që mori rrugë nëpër botë?

Në pyetë dikush, prindërit si i la?
Si iku dhe si i mbylli shtëpitë.
I thoni atij s'iu bë kush motër e vëlla,
I thoni se këtu s'i ushqente dot as fëmijët.

Nëse pyet dikush për mua,
"Si iku pa na thënë lumtumirë?
I thoni nga vetja u turpërua,
I thoni iku nga gjendja e vështirë.