>
LETERSISHQIP
Skënder Rusi

Ç’trishtim

Ç’trishtim, të jetosh në një qytet-brengë,
Ku shumë gjëra ecin për mbrapsht!
Vajzat e bukura rrinë fshehur nga djemtë,
Të shëmtuarat shëtisin në bulevard(!)
Ç’trishim në këtë qytet që më deh,
Me erën e qelbur të vodkës!
Ku vetja herë-herë më duket,
Si Esenini rrugëve të Moskës!
Ç’trishtim, në këtë qytet të çmendur,
Që më ngjan me një spital të madh!
Njerëzve ju mungojnë veç bizhamat me vija,
Dhe numurat në shpinë apo në krah!
Ç’trishtim në këtë qytet që flet përçart,
Që as në gjumë nuk e heq paruken!
Dua t’ia marr nga koka e t’ia flak,
Por edhe ai s’më le, edhe unë nuk mundem!
Ç’trishtim, në këtë qytet të pushtuar nga vdekja,
Që po më vdes edhe mua pak nga pak!
Më vjen të rrëmbej shpirtin e të zhdukem,
Sa më larg prej tij, sa më larg!…