>
LETERSISHQIP
Skënder Rusi

Mbi Kokë Më Rri Edhe Më Ndrit

Gjithnjë po bëhesh më e krrusur,
Sikur po i afrohesh tokës!
Unë jam atje, në sytë e rrudhur,
Ku është fillimi i gjithë botës!
Gjithnjë po bëhesh më e vockël,
Ku e ke futur gjithë atë shpirt!?
Si hënëz e ngrënë brenda dhomës,
Mbi kokë më rri edhe më ndrit!
Gjithnjë po bëhesh më e lehtë,
Mos ke ndërmend që të largohesh!?
Më bëj një shenjë e ngjitem vetë,
Qiellit t’i them që do vonohesh!