>
LETERSISHQIP
Spiro Xhavara

Dueli

Një dallgë e vogël deti m'u përplas në fytyrë,
M'u duk si shuplakë, që nga gjumi të zgjon,
Mos kam rënë, thashë, në ujrat e Osumit dhe njëherë
Dhe gjumi më ka zënë mes detit, s'më lëshon?
Kur dallga u ngrit, siç ngre dallgët deti
E më mori si lodër, më përplasi në breg,
Ç'pati me mua Osumi, thashë, egërsuar si demi,
I tërbuar sa s'thuhet e më fton në duel?
...Të dy me Osumin një vajzë dashuruam,
Unë shpirtpërvëluar, ai dallgëhedhur me shkumë,
...Asnjë nga ne s'e mori, kot u përgjëruam,
U zumë e u pajtuam, po s'e harruam dot kurrë...