>
LETERSISHQIP
Spiro Xhavara

O Maj!

U linda në prehërin tënd, o maj
Merrëm në krahë, jam një nga bijtë e tu,
Më thanë linda diku, mbi një pllajë
Mbi kopër e trëndelinë, nën horizontin blu.
Si nënë, ti më veshe me petka petalesh,
Me lule-xana, lule cfaka e lule-shtogu,
(Atëkohë s'kish mbetur gjë në degë bajamesh
Lulet i kish rrëzuar në fluturim një krah zogu)
Hodha hapat e parë në zabelet e tu, në lëndina,
(Më fal, tek rashë, theva ca fije bari të njomë)
Një turfullim thëllëzash befas zgjova, por mandolina
I mblodhi prapë, pranë mua të këndojnë.
Dhe më vunë me zogjtë e tyre, pranë në gjumë e ëndrra,
Më shtrydhën me sqep pak lëng trëndafili e nektar,
Oh, ç'gjumë hyjnor,
nën gugatjet e thëllëzave bëra...
Tani që u zgjova, çudi,
qënkam gjashtëdhjetë vjeçar!