>
LETERSISHQIP
Tahir Kolgjini

Bilbili Dhe Lirija

nxjerre nga "Shejzat", 1-3, 1968, f.71-72
Zog i dashtun, zog i bukur,
Zog i larëm porsi flutur,
Qi po m'rrin si nji perí (1)
Në kafes për bukurí,
Thurun hijëshëm me tel ari,
Rreth e rreth lule behari,
S'kam dyshim se je i qetë,
Me shum t'mira, si e din vetë.

M'a ke shtratin, si veziri, (2)
Butë prej mishkut, ... dashamiri.
Edhe kup' e ên' e mashkër (3)
M'i ke afër, mir' e pastër
Për habi m'a ke pallatin!
Për zili ma ke hajatin! (4)
Ke me hangër, ke me pi,
Sa kushdo t'a ka lakmi!...

Ke me pimë e ke me hangër,
Je rrethue si vjami n'gjandër
S'ke nevojë për me kërkue;
S'ke arsye, pra, me u ankue,
T'mos e tjerrim gjatë si krushka,
Ty t'ka pjellun, për fat, mushka!
E kurrgja, nuk të mungon.
Je si mbreti për mbi fron!...

Sa bukur këcen e hidhesh,
Sa ambël hecë e përdridhesh,
Kur matesh me fluturue,
Kur ngre’ kokën, tu’ u lazrue.
Kur m'a ngre’ bishtin përpjetë,
Tue m'i shkundun krahë e fletë,
Aq gazmend ke për dashnorë,
Si me e kapë qiellin me dorë!

Prandej, nisja me kangëtue:
Kudo, zani, me t'ushtue!
Grahi kangë, e grahi valle!
Mos rri shuk', mos rri me halle! (5)
Limò shpirt, e pushtò zemra!
Mjekò plagë e pajtò shemra!
Rreth e rrotull, tue cicrue,
Zog i bukur, i prarue.

Grahi kangës me sharkí (6)
Si Musaios-i n'Trakí (7)
Qi dikuër, me ton t’limuet
I shëronte njerzt' e smuet.
E kushdo, për Ty le t'thotë:
«K'si bilbili, s'ka në botë»;
E me vulë me t'dhanë fermanin: (8)
«Hej, hej, heeej ç’e dredhëka zânin!»

- A nuk don, mor' t'unjatjeta?
A nuk din se ç'asht e drejta?
Ke gabim, or' lum zotnija:
Mos kujto se granja e pija,
Dhe kafesi prej florini,
Me shtrat mishku, butë si lini,
Në kët gjendje, sod, për mue,
Mund t'jenë gjana me m'lumnue.

Nji grimë bukë për t’mbushun mullëzën
Nji pikë ujë për t'lagun buzën,
Jo n'kafes; por, dhe përjashta.
Nepër pyje e nepër ashta (9)
Zakonisht, nuk ka mungue,
Për ata, që kan mêngue!
As për shtrat nevojë do t'kenë;
Mishku e dushku, n'mal sa t'jenë!

Anise krejt, janë prej ari,
Teshë, koteshë e ç'ka këtu pari,
Me kafes e tel e shtrata,
Me stoli e me hajata,
Dhe se haenat, varg si pasëm,
Shtrue janë, për dit, si n'darsëm;
Por, për muë nuk kan kuptime,
Asnji fije, këto trajtime.

Asht, kafesi, fort i mirë;
Veçse, un', nuk jam i lirë!
Ku i kam malet me shpatina?
Ku i kam bjeshkët me kodrina?
Ku i kam fushat, ku i kam sukat?
Ku i kam llugat, zallet, grykat?
Qi flutrojsha rrem më rrem,
Për të shkue n'koshtarin t'em?

Ky kafes, qi m'kan sajue,
Ky kafes, ku m'kan ngujue,
Për të vuejtun sa t'jem gjallë
Ferrë e truell me i pasun mallë,
Nuk âsht vend për me m'gazmue;
Asht zindan, o burg për mue;
Asht zindan e botë mjerimi,
N'dash, nji kamp, thuëj, përqendrimi.

Me ujë t’bartun, ujë caliku,
S'bluen, mullini, mor' lum miku!
Trandafili, don bilbilin;
Dhe bilbili, trandafilin.
I lirë, kërkoj me jetue,
E jo si kali në katue!
Pra këndoj, ndoshta, ndopak;
Porse zemra m'kullon gjak!...
L.L.

1) Peri-ja, pers., ef.. shm. Peri - Krijesë e imagjinueshme, qi përfaqëson bukurín, e bukura e dheut. it.: Fata.
2) Vezir-i; arab.; shm.; Vezira-Ministër.
3) Mashkër-i, em. shm.: Mashkra - Sahan i drûjët (Lumë).
4) Hajat-i, em„ shm.: Hajata - Ballkon, pjesa e shtëpís, ku rrijmë ndër hije (Krh.: Hije - dialektoren - haje dhe persishten saje dhe mandej hijatë, hajatë e hajat).
5) Hall-i, em. Arab. shm.: Halle - Gjendje e vështirë, kujdes.
6) Sharkí-ja ef. shm.: Sharkija dhe Sharkina - Nji vegël muzikore me shumë tela në formë të mandollit (Kosovë).
7) Musaios - Mësuesi, mësimdhanësi, mjeshtri i Orfeut në Traki, ku ka pasë qenë folun, dikuër, shqipja. Në disa vende të Lumës e të Dibrës si dhe në thellësina të Makedonís, shumica e foljeve të pa skajueme, qi mbarojnë me «ue», përdoren: me shkraue, me këndaue, me mtaue, me rrafshaue, me ndërraue e tjera. Folja me mësue, përdoret: me musaue. Prej kësaj forme vjen cillësori: MUSAUS - Mësuës, mësojës, mësonjës. Pra, ata, qi merren me mitologji dhe nuk e dijnë shqipen, pandehin se «MUSAIOS», asht grekisht.
8) Ferman-i, em. pers. shm.: Fermana - Dekret, urdhën mbretnuer.
9) Ashtë-a, ef., shm.: Ashta-Ahishtë, pyllë ahi. Kët formë, e ka përdorun Poeti Kombtar, për nevojë rime.
"Shejzat", 1-3, 1968, f.71-72