>
LETERSISHQIP

Korapit

Mori mjegull fjolla fjolla,
qi po endesh për okolla,
pa m'kallzò, t'rafsha me ndore,
ç'jan' k'to kodra madhështore,
kacarrue truma truma,
do, kah Dibra, do, kah Luma,
-medis tyne si minare
me nji maje aq krénare-;
disá, thik e disá, tue;
si me dasht’ me përqafue
atje nalt kupën e qiellit,
tue çamë rrezet e diellit,
me at' majen drejt përpjetë,
sikur t'ish nji trup me fletë?
***
Po t'kallzoj, mor' tungatëjeta,
prej të parëve për sa gjeta:
Ajo âsht maja e Korapit;
fort iu ngjanë atyne t'Alpit;
jo për gur e jo për lera;
por, si maje me shum vlera;
me shum vlera historike,
n' kohë të vjetër, n’ kohë jetike;
mbasi dánte si kufî
makedon' me Illirí,
si dy v'llazën, qi na ishin;
gjuhë e doke, bashk’ i kishin...
***
Ajo maja plot me borë,
por si k'sula me kunorë,
ajo, s’dêhet as në verë;
ashtu bardh qendron përherë.
Aj, prá, âsht Korapi vetë,
kacarrue drejt përpjetë.
Vijnë mâ poshtë bjeshkët e tija,
kodra, suka dhe çelija,
mbi të cilat aj, mbështetet
si "ehram"-i në temelet,
tue i shtrîmë skundejt përanë
n'fusha e n'male an' e m'anë.
***
Âsht Korapi bjeshkë me namë,
qi na plâhet përmbi Gramë;
përmbi Gramë e vende tjera,
qi mâ t'buk'ra s'i shef, "HERA",
si Koltrakë e Sorokolin,
Sharr i madh, ku zanat, folin.
N’anë kah lenë â Shtarovica,
qi kundron porsi kralica;
kundron Rekën mbar' e mbarë,
me polemin krejt shqiptarë,
me katunde praqe praqe,
dámë në zona, në bajraqe...
***
N' perendim ká Radomirën,
qi s'e gjênë në botë mâ t' mirën,
për kah toka bukanike,
për kullotat tulenike,
për kah bjeshka me bagtí,
për kah jeta me pastrí.
Lopë e dhen me mija mija,
qi dikuër i kish malsija.
Me banorë trima bujarë,
me stanarë e me pazarë,
me kosharë e me anbarë
me thasë plot e me bararë...
***
Vjen skundrejt Gjalliçja e Lumës;
mâ përtej Kishajt e Krumës;
Zepa, Fandi, plaka Runë,
Taraboshi me gjithë Bunë;
Zepa, Lura dhe Luznija
dhe shkon drejt kah Peladhija;
dhe Tomori i Dodonës,
qi ka pjellë malet e Vlonës;
male tjera, suka t' buta
me folé për drêj e suta,
gjithë ku shkelë kamba e atit,
janë të bijat e Korapit...
***
Këto fusha, këto male,
për teposhtë e për termale,
mbi të cilat shqipja e jonë,
n'ajrí endet si jehonë,
qe trimijë e nandëqind vjet,
për pá hymë nji ditë ndërmjet.
Trima v’llazën sikur janë,
makedonë e illirianë,
edhe Kastrioti vetë,
me ça kishte në kët jetë,
rrânj’ e rrugjull krejt shka shifet,
ngjitas me Korapin njifet...
***
Or! KORAP rod Himalaje,
qi ké majen përmbi maje,
qi ké sukat cohë të verdha,
qi ké megjet dredha dredha,
qi ushton n'ajrí vringllueshëm,
qi n'hapsinë qendron shungllueshëm,
qi nuk tundesh, as nuk dridhesh,
qi nuk luen, as nuk hidhesh,
qi ké ujnat si kristali,
qi ké djelt sokola mali,
qi ké vashat për lavdí,
qi ké kangët melodí,
qi jé ngjitun për së nalti,
qi ké shijen porsi mjalti,
qi soditë afër e largas,
qi veshtron vistër e vargas,
lak më lak e kodër m’ kodër,
prej Bilishtit deri m' Shkodër,
e shikon nepër vërvica,
der’ andej kah Mitrovica,
e, n'anë tjetër, Manastirin,
me Janinë e me Ujmirin;
vedron Shkup, kundron Berane,
si mâ i nalti ndër Ballkane,
dhe polemin e vezhgon,
qoft’ illir, qoftë makedon,
pa m' tregò, për sedër t'ande,
vend për vend e kande kande,
ata njerz, qi ké përanë,
si i kanë hallet, si po janë,
si i kanë hallet, si po shkojnë,
ditt e tyne si i përshkojnë?;
mbasi k'tu né të mërgimit,
na mungon drita e agimit,
e s'kemi njoftime fare,
se ç'po i ndodhë farës shqiptare...
Veçse, andrrat, po na thonë,
se tash s'fundi, v’llazënt t'onë,
i ka kapë nji ankth i rândë,
si në shpirtë, ashtu në lândë,
e s’ janë mirë në shum pik'pamje.
...
Mbi të gjitha, s'janë të lirë
qi t' pajtohen bab' e birë.
Istanbul, 6/8/1977

Kolgjini, T. (2022). Letersi: poezi, poema, tregime. Vellimi 3. LOGOS A: Shkup, Prishtine, Tiranë.