>
LETERSISHQIP
Viktoria Xhako

Ti, E Pashtershmja Gurrë!

Bijës sime në një natë pa gjumë
Në muajin e bukur të luleve,
Në muajin e këngëve e dashurive,
Në mëngjes herët së bashku me vesën,
Ti, trëndafil i jetës, në krahë m’u ule.

Ngjyrat më të bukura ia more natyrës:
Të kaltrën, rozën, të artën,
Shpirtin tim e lidhe me fije dashurie,
Për dore të mora dhe ecëm në rrugën e bardhë.

Nuk pata nevojë të ta mësoj dashurinë,
Shpirti yt i njomë ishte plot i mbushur,
Bashkë ua dhamë ëndrrave të gjitha ngjyrat,
Edhe pse ylberët për ne ishin zhdukur.

Nga krahu s’m’u ndave asnjë çast të jetës,
Zemra jote e vogël, është det dashurie,
Kokën ma merr sot në prehrin e ngrohtë,
Ledhatuar me zërin tënd, këngë lumturie.

Sa vuaj tani, e shtrenjta bija ime,
Që trëndafilë nuk mbolla dot për ty,
Sa herë kemi qarë në kopshtin e zbrazur,
Po ti, gjithnjë m’i ke fshehur të bukurit sy.

Ti, rozë e bukur ke mbetur, si në fëmijëri,
Buzëqeshjen pranverë pa e hequr kurrë,
Me zërin tënd të ëmbël, këngësh pa pakënduar,
Më nanurit sot dhimbjen, Ti, e pashtershmja gurrë.
E mërkurë 24 gusht 2011 ora 03:00