>
LETERSISHQIP
Viktoria Xhako

Yje Të Ndezur Hodha Pas

Fjongo të bardhë i lidha kujtimit,
Netëve të errëta ta shoh përsëri.
E ndiej! Ti më kujton, edhe pse jam larg,
Prandaj unë rroj, rroj tani.

Në çdo hap që më largonte,
Yje të ndezur hodha pas.
Dikur do të kthehem, i thashë kohës,
Nën blirët, ku ne ecëm bashkë.

Dikur do të griset perdja e hapësirës,
Dritarja e kohës do të hapet dikur,
Yjet e ndezur, pas gjurmëve hedhur,
Do të më ndriçojnë për të ardhur këtu.

Po nuk e di kush yjtë m’i shoi,
Hëna buzët mbështet mbi xham.
Varré e fortë m’i theu rrugët,
Prandaj unë më nuk jam, nuk jam...
E premte 19 gusht 2011 ora 23:00