>
LETERSISHQIP

Legjenda E Ujit Të Ëmbël

Jam si uji që udhëton
(sepse dikush e trembi)
me dhjetëra kilometra
nëpër gypa
dhe ndalet në errësirë
ëndërron
lëvizjen e peshkut brenda vetes
sqepin e ndonjë zogu
mbi sipërfaqen e tij
dritën e diellit
imazhet e gjërave përreth
(që reflektohen në te)

Pret
pa e ditur
nëse do ta pastrojë ndonjë enë
do ta lajë trupin e ndonjë njeriu
apo do të përfundojë në gjellë

I kujtohet legjenda
e ujërave të ëmbla
që flet për një grua
që e do poezinë
dhe që e bën kafenë turke
më të mirën në botë
kështu që
nga thellësia e shpirtit të tij
të pangjyrë
i lutet Zotit
që pasi të vlojë
të përfundojë në filxhanin e saj
apo të rrjedhë nga maja e saj e kresë
deri te gishtërinjtë e këmbëve