>
LETERSISHQIP

Dialog Ëndërre

-Çfarë po pi ti?
-Ëndërra me sy të mëdhenjë, po ti?
-Ëndërra me mjegull mëngjesi.
-Je si ulkonjë, çfarë bën nëpër mjegull?
-Mbush shportën me copëza bardhësie,
me vesë vere të kuqe dhe dehem.
Pastaj, bërë xurxull, shtrihem mbi metaforë
dhe jap shpirtin.
Në atë agoni të qashtër më merr gjumi,
më shpie në shtratin e tij cullak
e më vë serum dielli.
Kështu më gjen mëngjesi e zgjohem.

-A puthet ky shpirti apo vetëm pihet?
-Nuk di nëse mjegulla të lejon ta gjesh,
ta prekësh, ta puthësh,
këtë agoni aromash e lulesh,
që zgjat derisa e kap kllapia e figurinave.
-A mund të luaj, të gërmoj edhe unë në këto figurina?
-Ah, nuk dua të gërmoj më në kopshtin tim.
E kam mbyllur derën e po kundroj kopshtin tënd.
Ka ngjyra të bukura aty.
E di, nuanca dritëhijesh vinë e më rrëmbejnë
e fluturoj e sillem aty rreth teje.
Ngrije kokën, më sheh si jam hutuar?

-A puthet hutimi?
-Nuk përgjigjet dot, është i hutuar.
-Mirë, po e puth pa e pyetur,
ta puth hutimin bashkë me hutimin tim.
-Është bukur të jesh aty,
pa logjikën, pa fizikën, si një polenë zambaku,
ajrit që vertitet e shtjellet në ty,
si një prehje vere…

-A ka gjuhë hutimi?
-Është somnabul hutimi,
i ka të gjitha si frymë e gjallë,
por lëviz si fantazëm nga botë tjetër.
-Ti po qesh me mua? Të dukem i marrë?
-Më dukesh i ajërt nëpër buzë e buzëqeshem.
-Ta puth buzëqeshjen pra, fli…
-Fli edhe ti, pa ëndrra në mjegull!