>
LETERSISHQIP

Poezi Në Shtegtim

Ti, je si cigarja e parë,
pas orgazmës së zgjatur,
që mes dridhjeve të duarve
dua ta thith deri në fund.
Ti, je si xixëllonja e natës së mpiksur,
që më qesh sytë…

***

Për sa pare e shite diellin zotëri?!
A t’u mbush kuleta e shkyeme ëndrrash,
me kacidhet e mjera?!
Më shih në sy, a mundesh ta bësh dritë tani?
Apo ti je vetë djalli që gjallon në errësirë.

E shite ëëë…
A e more reston e reve të zeza,
nga gjëmimi i tyre si makth, a fle!?
Çfarë the?! Do i shesësh edhe ato,
edhe yjet e veckël që ta lësh bosh e terr?!
E kështu në të errët shpreson të tjerrësh pak gjumë të përligjur nga ferri!
Jo zotëri, besomë,
as ferri nuk të pranon më.

***
Fluturo dhe eja të pish ujë në duart e mia,
mos u tremb nuk i mbyll pëllëmbët të të mbaj brenda.
Ti ulu, pi dhe fluturo ku ta ka ënda.
Unë nuk i kam dashur kurrë,
zogjtë e kafazeve të rënda!