>
LETERSISHQIP
Agron Blakaj

Mitralim

Ku mbet vendi?
Njerëzit ç'u bënë?!

Njëherë këtu pata thënë ca fjalë.
Kêtu pata kënduar dikur.
Nëpër barin, nga era që tundej valë-valë,
vrapova si fëmijë në fushat me grurë.

Në dasma të mëdha njëherë pata rastisë... 
Mbështetur për muri nuset me duvak..
Buzëqeshjen e pakuptimtë të fëmisë..
Pata folë gjerë  e gjatë me një plak.

Aty më lartë tek "Të vjetrat varreza"
s'e di kush ka pas vdekë...
Po, isha dhe tek shkolla ku fola me breza
e dorë për dorë të gjithë i kam pas prekë.

Qëllova këtu ku vadat, rrugët, kasollet, dikur i ndërtonin
Dhe e shtynin rëndë-rëndë jetën e vet.
Ç'u bë me njerëzit qe këtu dikur jetonin,
Po vendi, vallë ku mbet?!

22 Prill 2001.
Kushtuar fshatit Loxhë e Pejës të shkatërruar nga lufta.