>
LETERSISHQIP
Agron Blakaj

Ty Jetë

Shfryhu jetë zi e më zi,
Si murlani qe s’ngopet dot
Cunam deti a zjarrë shtëpie
Që mbytë shpresa dhe sjellë lot.

Shfryhu jetë, oj rrudhë balli
Zgjim mengjesi fort i rëndë
Plakur ashti-mbytur malli
Lodhur trupi, spo zë vendë.

Shfryhu jetë se borë po bie
Dhe pa dru, stufa ka mbetë
Larg pranvera kur do vije?
Larg shpresa që të mbesë n’jetë.

Sa e ëmbël aq e thartë
Shfryhu jetë, ja ku më ke.
Ngremë zvarrë poshtë edhe lartë
Se jetë quhesh, por bish je.

Herë sirenë, herë si shtrigë plakë
Si ushujzë thinjave po m’mbetë
Kurvë tinzare që heshtur braktisë
S’ta kam frikën-shfryhu jetë.
Prishtinë, dhjetor 2013