>
LETERSISHQIP

Për Dashurinë Nuk Vdes Askush

ose malli për një njeri që vdes
Në Jutbinë
vdesin për gjithçka
veç për dashurinë nuk vdes askush
e lënë të ushqehet
me pikëllimin e vet
dhe të mbijetojë ose të plasë
si kokrra e kripës mbi zjarr
ah Jutbina
fsheh fytyrën me duar të përgjakura
dhe të vërtetën
e sheh përmes gishtërinjve
po ngjan si vend kufomash të absurdit
që s’i varros askush
ah Jutbina
sa më ka marrë malli
ta shoh një njeri duke jetuar e vdekur
për dashurinë.