>
LETERSISHQIP

Salva Nos, Perimus

ose lutja e Pjetër Bogdanit
Salva nos, perimus*
lutet Pjetër Bogdani
me gjuhën e dhembjes
nga e cila pikëllohet edhe ajri
shkërmoqen edhe gurët
dhe toka i shkul flokët
Salva nos, perimus
atje kafshon koha në gurmaz
rikryqëzohet Krishti çdo ditë
dhe askush nuk qan
engjëjt e Abrahamit rropen tinëzisht
dhe askush nuk i sheh
Salva nos, perimus
Shkupi ka mall për një meshë
në gjuhën e vendit
gati po mbetet pa gojë
sheh vetëm ëndrra prej varri
thith hirin e vet për të jetuar
Salva nos, perimus
atje shpresat ecin udhëve pa krye
dhe kthehen si kufoma të gjalla
ne emër të jetës qëndrojnë në këmbë
dhe qeshin ngaqë s’mund të qajnë
Salva nos, perimus
ne s’kemi ku të shkojmë më larg
se përtej vdekjes pa një varr
ne s’kemi ku të shkojmë më larg
se përtej harresës
ne s’kemi ku të shkojmë më larg
se përtej zhbërjes para syve të hyjit
Salva nos, perimus

* Salva nos, perimus (Na shpëto, se mbaruam! – kështu u lut arqipeshkvi i Shkupit para papës në Vatikan)