>
LETERSISHQIP

Më Kujto

Kur të bjerë gjethja e fundit
Kur shirat në gri të ngjyrosin liqenin
Kur i ftohti mjelmave tu mbledhë krahët
Kur dimri plak në fron të ulet

Më kujto në stinën e çajit
Në avujt e ngrirë të mëngjeseve
Në brymën e hirtë të mbrëmjeve
Në ndriçimin e zbehtë të neonëve
Kur ngricat të pushtojnë shpirtin
Më kujto…

Më kujto
Kur të çelë sythi i parë
Kur mimoza të zverdhë shkurtin
Kur dallëndyshja të trokasë mbi xham
Puthjen tënde pres të më zgjojë
Më zgjo…

Më zgjo
Në pranverë
Mos harro…