>
LETERSISHQIP

Veç Andrrat Donte

T’gjitha po donte me i braktis’…
Me shpirt të pajagosur s’mundej me u nis!

Asgjaja e lidhte me tentakula hidre,
Ditë-netët me ia djegë e gris
Me rrufe dhimbjeje në tërbim stuhish!

Orët, javët, stinët donte me i braktis përtej jetëve,
Që tinzëzisht shtrydhin farmak mbi të nesërmet!

Donte…
Asgja nuk donte!

Veç shendit të ditëve
Në sytë e fëmijëve.

Asgja të pamundur s’po donte,
Veç gjasë ma t’thjeshtë t’kësaj bote:
Andrrat dëshironte!

E kur oborrit të syve të tij,
Të uleshin zogj të artë andrrash,
Atëherë do të ndjehej tej përjetësisë,
Fëmija andrrimtar i lirisë!