>
LETERSISHQIP

Frymë Pezull (Gravurë)

Jam gozhduar brenda katër mureve të shtëpisë nga frika e kësaj kohe që e ka kthyer gjithçka kokëposhtë, si fanspathi…. Sido që ta ndërroj pozicionin, kokëposhtë a normal, shoh veç një tabelë në fund të horizontit “DISTANCIM”.
Në këtë lloj vetmie eremite, të pavullnetshme, nervat cingërijnë për tmerr, kur kundroj nga dritarja pranverën e shkuar dëm, e cila merr frymë pa mua, ndërkohë që unë mbaj frymën në ankth, kur pasiguria e së nesërmes të afërt e të largët më ushqen alarmin për gjithçka që po shkatërrohet nga ky vetëngujim.
Kaq të fortë e ka pushtetin kjo hipnozë distancimi, sa që, në mënyrë të pavetëdijshme ka pjellë edhe frikën për t’iu afruar fëmijëve.
Hej, botë, botë! Ku ishe e ku po endesh?
Me sy të llahtarisur vërej nga afër brishtësinë e gjërave e natyrshëm perceptoj brishtësinë e qenies njerëzore para mosekzistencës.
Gjegjja e botës ndaj vdekjes ishte veshja e këmishës së forcës në izolim, pra deri diku bota ka dhënë dorëheqjen nga ritmi i zakonshëm i jetës. Sa do të kishim dashur t’i iknim kësaj kohe verem, por duhet t’i bindemi urdhrit të së tashmes, të cilit nuk i bën dot bisht, sepse duhet të fitojmë! Në këtë vetmi, e vetmja lule që çel brenda meje është ëndërrimi.
Si mbi qilimin e Aldinit fluturoj mbi ëndrrën drejt botëve të ëndrrave të mia larg këtij kaosi apokaliptik.
Ekzistenca ime është rezistenca që ushqehet veç me lirinë vetjake e që rrugëton drejt të pakufishmes.