>
LETERSISHQIP

Letër Mozartit

Nganjëherë, sidomos natën më ndodh të mendoj se,
po të mos kishe vdekur ti, duhej të kisha vdekur unë,
Por gjithnjë koha, kjo rrëke kujtimesh apo ky oqean midis nesh,
Na pengojnë të ulemi në të njëjtën tryezë, të shohim të njëjtin mëngjes,
Të shëtitim bashkë ndanë një lumi, ndanë këtij lumi, ndanë cilitdo lumë,
Qoftë ky Rini që nuk e njoh apo lumi La Plata, lumi më i gjerë i botës
Ku hedh grepin për të nxjerrë lundra të murrme e mjerane
si gjithçka që kemi brenda nesh.
Besoj se midis nesh ka dallime që më mirë të mos i zëmë ngoje:
Ti nuk do ta kishe pasur të gjatë në këtë klimë,
Sidomos në verën e këtushme,
Dhe lagështia që këtu është vrastare, nuk do të të frymëzonte
as më të voglin divertimento.
Ndonëse më mallëngjejnë oboet e tua më të mira, flautët dhe violinat,
Më thotë mendja se qetësinë e domosdoshme për të dëgjuar,
për t’u kollitur, për të bërë fllad pa zhurmë,
Kontët dhe markezat e tua nuk do ta gjenin në rrjedhën e lumit,
por në fund të tij.
Kurse ne nga fundi i lumit nxjerrim vetëm lundra të fundosura dhe kufoma,
Ndonjëherë, le ta themi, kufomat janë me duar të lidhura pas shpine
dhe me sy të zgurdulluar nga tmerri.
Për këtë arsye, ndoshta për këtë arsye, miqtë e mi dhe unë
jemi të egër si bisha,
Aq sa simfonitë e tua të pafundme as që na zbutin fare.
Plot mëri e kam shpirtin, Herr Volfagang, dhe asnjëri prej nesh
nuk mund të ta falë
Që në moshën dhjetë vjeç vendose për jetën tënde
duke u ulur përgjithmonë në piano