>
LETERSISHQIP

Mirazh

Muri përballë papritur kulloi pasqyrë, u zhbë,
Gazeta e vogël sa një thua lexoi veten, thosh’
me zërin e përçudnuar në kongres të Enverit:
“Unë jam ti, bashkë do të ndeshemi. Tani.”,
Kulluan dhe duart tek fërkonin sytë. U verbova
shkurt nga rrudhat deri sa nisi një film ala Dali,
me mjellma të frikshme dhe të tjerë si unë,
që prisnin në radhë të hidheshin kokëposhtë,
nga ura në lumë. Ivan Karamazovi dhe djalli,
apo ishte Jezusi?- nuk e di, si suflerë flisnin
gjuhë të pakuptueshme, telekomanda ish larg
e ekranit të murit, u futa brenda atje, llokoçita
derën, dola brenda dhe u zgjova në gjumë.
“Mirësevjen në botën e çudirave o i huaj!
Këtu çdo gjë ndodh vetë. Shtrihu diku e shih
se si shkrumbohen gërmadhat e s’ ardhmes,
treten qëllimet në ujë të distiluar. E bardhë,
kimike është kjo jetë, retinë, borë e bardhë,
ortek që të zë poshtë kur ti fle në palindje,
Ja, tani je fëmijë përsëri. Vizaton me gisht
në xhamin e avullt vdekjen pa e ditur, çati
është ajo dhe bora, bora mbi, bora e zezë
si nata e vrenjtur, me re të zeza, tej ka yje,
por ti nuk e di, se ky është veç kujtimi i parë,
që gdhendet në tru nga skulptori i verbër.
Muskulor është ai, arap, burrëror si babai,
Të puth ngjirur e ti ndjen mjekrën, pyllin,
ku do humbasësh kur të rritesh, me shtriga,
ushtarë, arinj e zana, pasaporta, femra,
alkool, drogë e muzikë, vena të shpuara.
Mirësevjen o shqiptar në Perëndim, botën
me drita dhe ujë të ngrohtë rubineti, gaz
kaloriferësh a kampesh përqendrimi, vajza
suflere në recepsione mjekësh, këtu vendas
nuk do të bëhesh dot kurrë. Një thinjë më tutje
vigjilon me sy të çakërritur koha, orët,
të varura në diell si gjalpë i shkrirë e vdekja
është papritur fshatarja me shami, gruaja,
e fishkur me sy të çakërritur si plumb kokës,
me nyje bishtash, me fshesë mes këmbëve,
Ta bën me dorë, ngjitet kithët drejt e në qiell,
flakëron si rreze, e nxehtë si seks magjyp.
Mirësevjen në botën e çudirave o Liza,
hyr brenda e vetëm rri!”. Drejt e në kokë
hyjnë banorët e rinj, qiraxhinjtë e huaj me
bohçe rreckash me ngjyra, akrepat përthyhen
e shifrat s’kanë më kuptim, ashtu vetëm,
siç në fakt je, se vetëm je në ëndërr, fillikat,
si mur që shpërbëhet, që të mbulon si nata,
jorganit me arna dyersh, mbyllur fort nga dorë
sekrete e qoftëlargut, dordolecit që jam vetë...

DËRGOI: