>
LETERSISHQIP

Pluhur Muzgu

Oxhakët e muzgut, varur këmbësh, kollen tym e mjegulli,
Forca e dritës ndryshon kahet, terri rrjedh nga poshtë lart,
Nën çarçafë të zbehtë, pleksur ndër rrudha si çelësa soli
shullëhemi t`mpakur, kufoma që sapo vranë tjetrin, bashkë.

Funebër është muzika e pashkruar, s`fryn, asgjë s`pipëtin,
Dremitem tej, kohëve që shkuan, përhumbem në to, vdes,
si rreze e shuar sysh, mugur, përzierë me vazhdën e korbit
kur vjen, kokën fshehur krahut, prej nga ku veç sqepi zverdh .

I shkul do pupla, i thur me to flatra të reja dordolecit, mortit,
që n`gjuhën e hijeve hesht: “Ngrihu, hip mbi fshesë me mua,
Jam ati juaj, tymi ku do të zhytet, çartet gjithkush nga fundi,
Ngrihu, lëshohu, humb, lërmë të të bekoj me temjan gjumi!”

Fluturojmë greminave, zgripeve t`pacak, humnerave pa zot,
errësirës qorre, kapur rrashtit bosh, dyllë në hoj, rrokmë fort,
mos m`lër të bie në tym. Veç ah-e, oh-e dëgjohen atje poshtë,
shpagën që jepet e merret për të mbajtur në këmbë atëbotë.

Na duhet një vend për ne të dy, një truall më i madh se varri,
ku të prehemi si dega degës ditën kur do të fryjë era e fundit,
Duart e tua janë prej dheu e dashur, më kallin thellë në mall,
më kallin kokëposhtë si rrënjët, me trungun lakuriq në muzg.

DËRGOI: