>
LETERSISHQIP

Vishnja Në Kopsht

Dy jetë kanë shkuar qysh atëherë,
unë e im vëlla mbështeteshim
me një pite me mish në dorë anës murit
të dyqanit tek kinema "Partizani".
Muri ish i ngrohtë, tymi zgjohej,
I bardhë dilte nga toka dhe tretej
mbi kokat tona të qethura shkurt.
Herët njerëzia shkonte në punë,
Qe më ndryshe gjindja atëherë,
Të gjithë njëlloj, disi gri në të zezë,
por ndoshta është kujtesa kjo ose televizorët
e parë. Aty ku sot ngrihen rresht pallatet,
ish lagia e vjetër. Përballë mapos në shesh
fusnin kokën në kamera fotografët.
Negativët vareshin në litar bashkë me teshat,
(ndoshta prapë kujtesa), me kapëse rrobash, prej andej
të martuarit me një zemër në sfond dhe numrin e vitit,
na shihnin buzagaz ne fëmijët. Aty qe dhe shtëpia e gjyshes.
me vishnjën e madhe, të vjetër, me degë të zeza...
por ish dimër kur ike ti; veç bërthamat kishin lënë zogjtë.
Lotët duan të rrjedhin e nuk dinë se si,
ne ndamë fatin bashkë, bukën, jetën,
Kur mendoj për veten s’kam si t’mos mendoj ty.
Tash s`je, mungon, si negativ i varur në fill të bardhë,
rrugë bore e lotit që ngrin në rënie. Më fanepsesh
si shkreptimë e aparatit, në sfond çarçafi i bardhë,
siluetë e prerë, tunel me format e tua, i errët
si vishnjat kur piqen, të plota, me tul.
Nëse ditën kur do të shtrihem do hapet një portë,
unë e di se cila do të jetë ajo...

DËRGOI: