>
LETERSISHQIP

Ujëvarë

Në burim të pres kaherë

pjellë e shkretëtirës,
të kthehesh nga endja e pagjumë,
zbathur, e rritur tashmë,
të biesh ne gjunjë,
gjuhën e tharë të virgjër të njomësh
e të përgjumesh në prehrin tim
e rraskapitur.

Një lot rrëshqiti dikur faqeve të tua,
pikoi cepave të buzës
e ra në pusin e vetes…

Ish pikë e verbër shiu në ujëvarën e fjalëve,
shkarje e ujit që mbush dhe zbraz heshtjen,
Dikush hodhi një kovë a piu me duar,
Ja kështu rilinde prapë,
djersë në ballin e të tjerëve,
lave, u lanë në ty, e u lave
një jetë të tërë.
U bëre re e vrenjtur,
kullove pirgjeve,
rënia të derdhi
poshtë në lumë,
aty ku rrjedh
e lodhur përsëritja,
Valët të morën,
të futën e të nxorën,
Peshqit të sollën në breg,
Rërë u bëre në orën e rrymës,
disa herë.

Zogjtë të ngritën pastaj lart,
atje ku përkulen ylberet,
U skuqe, zverdhe, kaltërove,
varur degëve të qiejve,
Rreze që djeg e ndizet zjarr,
ngjize vullkanet e u poqe flakëve
shtatë breza rresht.

Në afsh të djegies u shtange
terreve e ngrive në mos,
fjalë mureve të gojës.
”Të bie a mos të bie?”,
Re në ujëvarën e kohës...

Në kurriz të dallgës ishe shkumë,
rrudhë vale ballit të tokës,
Pe veten nga lart, një vrimë e zezë
Hiçi, prej nga pikon bërja,
Trokisnin në derën e zemrës,
Vure dorën në gjoks,
…pikonte brenda.

Ishe ti, shi a vesë nga lart
në pellg të errësirës,
Pluskove në frymë,
Flladet të shtynë
drejt daljes shushuritëse,
Hijet flinin qosheve,
fjete dhe ti foleve të tyre
u bëre vezë.

E verdhë nga brenda,
Diell në tym të agimit,
Bebëz poshtë qepallës,
Filiz nën borë i ngjarjes,
që mbiu nga fara e gjurmës
që s’la grimcë e pacak,
plasur mbase kot.

Zog ngordhur në fluturim,
Fjalë e pathënë kurrë,
Gisht në unazë të pikës
ku shuhet mendja honeve
”Ç`pikëllim!”

Sa e gjatë ishte udha?
”Shifra hapash, kaq e aq orë!”
Sa është koha?
”Ca rrugë, vdekje, jetë!”
Sa zgjati kjo?
”Dy jetë në kryqëzim,
Prerje botësh,
Shi në pellg,
Një pikë në fund,
në fillim…”

DËRGOI: