>
LETERSISHQIP
Ardita Jatru

Hemikrania

Bri meje
marshon pikëllimi
dhe ca emigrantë të paligjshëm
që vrapojnë të fshihen.
I blej cigare një palestinezi që më lutet.
Hidherimin e tij ndez
dhe alarmohen venat.
Ankthi im
ngre shtizën.
Valëvit flamurin e betejës mbi kokën time.
Më bren ndërgjegja.
Fytyra ime
e bardhë
si hëna.

Qëndroj para psiqiatrit
e pagjumë
ulem.
Më pyet për gjëra që s’i mbaj mend.
Komike kujtesa ime.
Unë qesh.
Mbarojmë seancën.
Ngrihem
dhe vrima e zezë në prag, më gëlltit
e më pështyn në rrugë.

Kështu kthehem tek ty
pa vetëdije
si fëmijë i vrarë nga refuzimi
për pak lojë.