>
LETERSISHQIP
Ardita Jatru

Pasqyra E Lëndës

Jam dyzet e shtatë vjeç.
Jam e lumtur
përderisa kam një familje.

Kam bërë pakt me subkoshiencën.
Shkruaj poezi të sinqerta.
Tani e di,
e re paskam qënë e bukur
por me mungesë vetëbesimi.
Të paktë të ma thoshte nëna.

Jam shumë e ndjeshme.
Spontaniteti im shpesh keqkuptohet.
E vogël kisha një ëndërr.
Tani e kam harruar fare.

Jetoj tridhjetë vjetë vjet në Greqi.
Shoqja ime e ngushtë është Elpida.
Nuk kam votuar kurrë.
Ushqej macet e lagjes.
Kemi ndarë zonat me zonjën Violeta.
Dikush duhet ta bëj.

Jam dyzet e shtatë vjeç.
Nuk kam formim akademik.
Vuaj nga fobia sociale.
Më ndjek origjina ime.
Marr përgjegjësitë e të tjerëve mbi shpatulla.
Në fund të ditës bie në gjumë e vdekur.
Jam me fat
që kam një burrë të mirë
e s’ka tentuar ndonjëherë të më vras.