>
LETERSISHQIP

Shqipëria Brenda Mureve Të Teatrit

Ku është Shekspiri?
I thoni që sipas thënies së tij,
Në një shesh në mes të një qyteti,
Një tragji-komedi ka kohë që luhet çdo ditë,
I thoni që perdet janë brenda syve të turmës,
Ndoshta çuditet dhe zgjohet…
I thoni që ca hapa më tutje,
Një grusht burrash e grash,
Me shpatullat dhe brinjat e tyre,
Mbajnë kolonat e godinës së teatrit
Që të mos bjerë nga grushti titanik i shtetit…
Paradokse të shfrenuara
Dhe një popull që s’ngopet as me ajër,
Ajër ku të vërvisë lugën boshe…
Thuajini Shekspirit se vendi quhet Iliri,
Atje ku stolat e gurtë të amfiteatrave të lashtë,
Qajnë nën shiun e harresës vetmitare,
Për një akt të vetëm, për një këngë Orfeu,
Dhe një brohoritje në fund…
Pëshpëritjani emrin Iliri atje ku fle,
Në përjetësinë e tij,
Ndoshta zgjohet dhe me bojën e trishtimit,
Një elegji me titullin “Shqipëri”,
Shkruan mbi pllakën e ftohtë…