>
LETERSISHQIP
Avni Azizi

Njeriu Me Shkëlqim Engjëlli E Përmbajtje Mediokri

Njeriu me shkëlqim engjëlli e përmbajtje mediokri

Në epokën tonë kulturore, politike e shoqërore në të cilën po kalojmë, jeta e përditshme frymon me një adhurim dhe me një ushtrim të lirë të karaktereve të ndryshme njerëzore, profesionale e mendore. Ndër defektet e karakterit që po e përcjellin njeriun tonë, mund të përmendim edhe mediokritetin i cili është perceptuar si një defekt i mendjes, si një harlisje e disa njerëzve tanë. Madje edhe si një lloj sëmundjeje e pashërueshme që kërkon terapi shoqërore.
Cili në të vërtet është njeriu mediokër në patologjinë e kulturës sonë kombëtare. Njerëzve mediokër shpesh u pëlqen që të mos e ndajnë (apo edhe nuk duan të definojnë) negativen nga pozitivja, pohimin nga mohimi dhe heshtjen nga deklarimi. Për një çështje të caktuar ata më mirë e më lehtë do të mjaftoheshin me heshtjen, servilizmin dhe kurrë nuk shohin me respekt të gjitha mendimet kontradiktore. Nëse dikush është i bindur në të vërtetën, mediokri akuzohet për vetëbesim të tepruar. Ai ka shumë krenari, ani se nuk e di se çfarë është krenaria
Njeriut mediokër shpërthen në deklarata të stuhishme dhe përjashton propozimet e kundërta, por i tillë nuk është vetëm kur dikush nga të diskutuarit është miku, familjari apo i afërmi i tij. Ai nuk shërbehet me të vërtetat dhe fushë shikimet e tija janë tejet të ngushta. Mediokri është njeri pa dinjitet dhe një falsifikues i së vërtetës. Në virtytet e tija ekzistojnë turbullira, hije dhe në ndërgjegjen e tij nuk ekziston asnjë ndjenjë nderi. Në mungesë dinjiteti mediokrit janë si kopetë, skllevër në shërbim të injorancës.
Tipari që zakonisht e shoqëron njeriun mediokër është indiferenca. Përballë krizave shoqërore, ku shpesh ato edhe burojnë nga përgjegjësitë politik, mediokrit duke u përpjekur për ti kaluar ato vështirësi bëhen të pa dukshëm, të përkulshëm, të heshtur dhe konformist. Ata presin çastin e volitshëm të ndonjë përfitimi personal. Me dëgjueshmërinë e tyre deri në mjerim të servilizmit ngritin karrierat e tyre shoqërore, politike e shkencore. Ata janë nuhatës e arrivistë të hollë të gjendjeve dhe rrethanave të ndryshme. Shpesh u ofrohen të tjerëve me butësi, me interesim e dashamirësi deri sa të arrijnë qëllimet e tyre të errëta dhe në fund ndahen nga ata njerëz kinse të lënduar, të prekur nga ndonjë fjalë e të fyer në ndonjë parim ani se ata nuk i njohin dhe nuk dinë fare për parime njerëzore.
Një lakmi të tillë njeriut mediokër do ti kishte vetëm i afërti me të servili, i cili mediokrin do ta konsiderojë të mençur, të rezervuar dhe do ta admiroj për delikatesë mendimi e lavdërimi. Atyre aq u bënë që rrjedhat e përgjithshme nuk janë në nivel të duhur apo, edhe fare thjesht atyre as që u duken të tilla, ngase ata ndjehen ca satrapë të vegjël në shërbim të sundimit nga postet dhe detyrat që ushtrojnë.
Njeriu mediokër ka frikë dhe shqetësim në angazhimet shoqëror. Është dyshues në përparimin dhe kthesat e mëdha historike e kombëtare. Kështu, për të shprehur qëndrimet e tija, ai zbukuron frazat e formulon fjalët në aspekt të mendimeve modeste, ku shpesh këto mendime i rezervojnë edhe të drejta të mendimeve të kundërta. Mediokri merr ajër për të thënë diçka e nuk thotë asgjë. Apo fillon diskutimin me fraza të ëmbla politese të stilit: - Unë guxoj të them se...apo -Unë kam thënë se...etj
Zilia, smira, shpirtngushtësia dhe pasioni i ulët i njeriut mediokër meritojnë dënim shoqëror sepse ato shpesh janë më të poshtra se të këqijat që shpërfytyrohen nga personazhet më negativ të shoqërisë. Këto dukuri keqësuese janë turpi psikologjik i një inferioriteti poshtërues.
Mediokër është ai që pa u përpjekur fare përfiton nga burimet shoqërore. Ai që në fushën e marrëdhënieve njerëzore mashtron dhe mashtrimi bëhet historia e jetës së tij dinake. Në veprimet dhe fjalorin e tij mungojnë kapacitetet e vuajtjes dhe të besnikërisë dhe këto janë gjëra të shëmtuara për një të ditur por, edhe për ata që mundohen të jenë miqtë e kolegët tyre. Këta njerëzi shpejtë tregojnë fytyrën e tyre të vërtetë. Maskimi i tyre është i shkurtër në hapat e pabesisë, frikës, zilisë e injorancës. Me pak fjalë, njerëzit e varfër shpirtërisht nuk janë të besueshëm për shkak të vlerave dyshuese të fisnikërisë së tyre.
Për njeriun mediokër lumturia e tjetrit shikohet me zili dhe kjo gërryen zemrën e tij sikur një acid i ashpër. Sadizmi i tij buron nga vuajtja e të tjerëve. Kur të tjerët vuajnë mediokri duket se ndjen lumturi. Njerëzit e zakonshëm përdorin imagjinatën e tyre për të krijuar ideale të cilat u japin atyre një jetë të kuptimshme plotë begati ndërsa mediokri mësohet se si duhet të lakohet, si të bëhet protagonist i interesave vetjake, si duhet kusaruar e stivuar merita të gënjeshtërta. Mediokrit nuk pranojnë idetë e reja pozitiviste të kohës, ata në mënyrë narcisi i besojnë dhe i gëzohen vetvetes dhe ideve të tyre dhe si të tillë ata janë dele të kopesë primitive.
Nga ana tjetër, njeriu mediokër ka për zili e xhelozi idealistët njerëzit pragmatik të veprimeve shoqërore. Ai pareshtur bën përpjekje për të njollosur apo edhe rrënuar ndonjë veprim fisnik dhe këtë e bën nga frika se këto parime ngihen mbi demaskimin dhe ekzistencën e tij.
Shpesh mediokriteti është edhe mendjemadhësi. Spektri shpirtëror i njeriut të tillë është në gjendje të errët. Njeriu i tillë kurrë nuk gjen thjeshtësinë njerëzore, bukurinë konkrete të mirësisë dhe si i tillë ai është një mburravec i përhershëm para rrethit dhe shoqërisë. Ky njeri kënaqet me një post, me një detyrë të cilën e ka zënë në shoqëri. Ky njeri e mban veten se ka merita të jashtëzakonshme prandaj edhe është shpërblyer për të qenë një drejtor kompanie, udhëheqës i një dikasteri etj. Ai jo rrallë edhe keqpërdorë këto detyra, abuzon me këto përgjegjësi. Përfiton nga posti e detyra. Kushtëzon njerëzit e zakonshëm, kolegët e punës dhe sillet me një kapadaillëk frustues sikur ai të ishte qendra e lëvizjes së botës.
Mediokri është edhe jo dashamirës i librave, sidomos atyre që kërkojnë të mendohet. Ai në çdo diskutim intelektual për librin përherë gjen diçka që duhet kundërshtuar. Pika e formulimit të mendimit dhe ideve të tij përherë janë detajet a pa rëndësishme. Ai lavdëron vetëm idetë që janë të afërta me të tijat. Lavdëron disa shkrimtarë që janë të ngjashëm me të, dhe përtallet si prozhmues me njerëz të zakonshëm që nuk kanë arritur të bëhen të pasur materialisht.
Po ashtu, në nivel grupor, pra, një person mediokër është një shoqërues i keq që ne mund ta kemi brenda një grupi ose ekipi. Veçanërisht ai nuk është një i dedikuar për tu përballur në rast të ndonjë emergjence, ose në situatat të cilat aktiviteti përbën rreziqe të ndryshme. (p.sh. gjatë situatave luftarake kur atdheu ndodhet në luftë, mediokrit gjejnë njëmijë mënyra për të neglizhuar). Ata kanë vetëm nevojën e fitimit të besimit tonë sepse ajo u duhet, por ata nuk hezitojnë që në rastin e parë të na therin pas shpine kur më së paku e presim.
Cilësimi i tillë ndoshta duket pak filozofik dhe i përgjithshëm por ekzistojnë shembuj të shumtë nga jeta e përditshme që argumentojnë dukuritë e tilla të njeriut mediokër. Njeriu mediokër është kudo, është ai që nuk qëndron në kuptimin e jetës së tij, qoftë për mirë apo për keq. Në këtë rast, njeriu i tillë nuk ka absolutisht asgjë të përbashkët për të u cilësuar si njeri i famshëm ose një figurë publike.
Pavarësisht titullit, rolit të tij në shoqëri, postit politik apo shkencor, njeriu mediokër nuk posedon asnjë ide për tu përballur me sfidat e shoqërisë. Ideja e tyre është vetëm vetvetja dhe mënyra se si duhet për tu bërë i pasur materialisht, se si duhet manipuluar e falsifikuar qoftë të vërtetat historike apo edhe të vërtetën reale. Pa këto deformime mendore njeriu i tillë nuk ka idenë se si duhet jetuar.
Personazhet e mediokritetit janë njerëz të neveritshëm. Premisat e kësaj neveritjeje ndoshta duhet shpjeguar më shumë tek një pjesë e rinisë së sotme dhe tek njerëzit e moshës mesatare. Ata duhet inkurajuar për të ruajtur me kujdesin më të madh vlerat, dinjitetin dhe idealet e tyre. Nuk duhet lejuar që të rinjtë të jenë hija e shoqërisë. Të jenë imitues dhe të përshtatën për të bërë jetë mediokre duke reflektuar kështu gjithë rutinën, dogmat dhe paragjykimet.
Njerëzit e dinjitetshëm e posaçërisht të rinjtë duhet të hidhen në sulmin e tyre shkatërrues kundër mediokritetit, kotësisë e dembelizmit dhe iluzioneve të verbra ku ata duhet të gjejnë mospajtimin e tyre të vërtet, dhe nga ana tjetër duhet lartësuar dinjitetin e tyre si një virtyt të shkëlqyer.
Inteligjenca njerëzore e lartësimi kulturor asnjëherë nuk duhet ti dorëzohen rrjetës për tu shndërruar në forcë pasive të shoqërisë. Njerëzit e devotshëm dhe intelektualët e vërtet vazhdimisht duhet të përballen me dukuritë mediokre duke luftuar rahatinë dhe injorancën e tyre e cila është e pavlefshme si për vet mediokrit po ashtu edhe shoqërinë në përgjithësi.
Në të vërtetë, njeriu mediokër nuk është ndonjë përjashtim i jetës sonë e cila është e stërmbushur me keqësime dhe dukuri nga më të ndryshmet. Gjëja e çuditshme është shpeshherë rrethi dhe populli i cili nuk denjon ti jep hapësirën që ai të ngrihet mbi njerëzit e merituar, intelektualët e vërtet, krijuesit e çdo lloji (artistë, shkencëtarë, profesor). Të tilla janë dukur të jenë edhe fushatat e partive politike, ku populli shpesh ka rënë në kurthet e verbëta të njerëzve të cilët kanë pasur shkëlqim engjëlli e përmbajtje mediokri.
Shoqëria dhe sovrani popull shpesh ka lënë anash njerëzit e zakonshëm. Kategorinë të cilët jetojnë pa paragjykime të mëdha, apo të natyrshme e të harmonishme me rrethin dhe mjedisin (bujkun, punëtorin, mësuesin, muratorin, njeriun e rëndomtë). Duhet pranuar se jo rrallë kemi ngrënë sapunin për djathë dhe jemi verbuar nga shkëlqimet e rrejshme.