>
LETERSISHQIP
Brahim Avdyli

Kornizat E Buzëqeshjes

1.

Vij në ty kohë
me kthejtësinë e vesës mbi fjalë
dhe të sjell
buqeta frymëmarrjesh të pastërta
majemalesh

Vij në ty
me etjen e lules për Diell
e mugulloj
në përqafimin e parë të rrezes

Ti ma nxjerr
gjuhën e palarë
dhe fjalët i vë
në një sintaksë të çuditshme
ngërdheshjesh!

2.

Në plantacionin e dhembjeve
këpus bimët më të zgjedhura
e i thur kurorat
më tipike

Të ndjek e të ndjek
derisa venitem
shkretëtirave të përbuzjes

Të ndjek e të ndjek
e të gjëj
në llumin e instikteve
duke shitur shpirtin
e duke përkdhellur
këlyshët e vesit!

3.

Pastaj
më kot i ndërron
kornizat e buzëqeshjes
e ua reklamohesh ditëve të vrara
me pelerinën e zhubravitur
të ëngjujve

Më kot i mbledhë
thërmijat e nënqiejve të përmbysur
copat e nëntokave të gremisura
e përpiqesh
të rikrijosh ëndërrën time
për të Bukurën
dhe iluzionin e rremë
për vetveten…